Në Ohër të Maqedonisë së Veriut është duke vazhduar dita e dytë e Samitit të “Open Balkan”. Përveç ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që mori pjesë në takimet e djeshme, samitit sot do t’i bashkohet vritualisht edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në kuadër të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, këtë iniciativë është duke e bojkotuar plotësisht vetëm Republika e Kosovës.
E për këtë çështje, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka dhënë dërguar mesazhe në adresë të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti që po e refuzojnë nismën shkaku i Serbisë.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se është i vetëdijshëm për lidhjet serbo-ruse dhe për konfliktin Kosovë-Serbi, por se Ballkani i Hapur është një nismë që nuk ia kthen “kurrizin të ardhmes”.
“Ne s’e kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që ka Serbia me Rusinë, s’e kemi pritur luftën për të mësuar që mes Serbisë dhe Rusisë ka një histori, s’e kemi pritur luftën në Ukrainë se mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur. Këto i kemi ditur që të gjitha, por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes kemi zgjedhur këtë të dytën. Sot jemi këtu sepse duam të shkojmë drejt të ardhmes, pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura, por për t’u bindur se problemet zgjidhen vetëm nëse afrohemi. Vetëm nëse ne ditë për ditë kuptojmë më lirë sesa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin”, ka thënë Rama.
Tutje kreu i ekzekutivit shqiptar ka marrë edhe shembulljt e konflikteve në mes të SHBA-së dhe Japonisë, Francës e Gjermanisë, Izraelit dhe Emirateve Arabe dhe zhvillimit të raporteve në mes të këtyre shteteve më pas, duke u munduar që të përçojë mesazhin se duhet shikuar nga e ardhmja,
“Hill më tha: SHBA ka hedhur dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat më të forta dhe miqësitë më të ngushta sot është aleanca dhe miqësia mes SHBA dhe Japonisë, pas dy bombave atomike, dhe urdhëroni se ku është sot Japonia dhe nuk do të ishte sot aty nëse do të vazhdonte të qëndronte me kurriz nga SHBA, duke kërkuar nga ajo të uleshin në gjunjë për bombat atomike, të gjitha gjërat kanë radhën e tyre. Ku janë sot Franca dhe Gjermania? Çfarë po bën Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara, pas një armiqësie që është e pakrahasueshme për nga thellësia e saj dhe për nga gjaku i derdhur dhe aktet e çmendurisë me asgjë që ne kemi parë këtu. Janë bashkë. Për të përfituar reciprokisht nga shtrëngimi i duarve dhe rruga e të ardhmes”, ka thënë Rama në fjalën e tij./GazetaExpress/