Shqipëria do të presë më 16 maj Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, një ngjarje të cilën Kryeministri Edi Rama e cilësoi si “takimin më të madh në historinë tonë”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp nga Luksemburgu, pas çeljes së grupkapitullit të dytë të negociatave me BE-në, Rama deklaroi:
“Me Presidentin e Këshillit Evropian patëm një diskutim më të gjerë për përparimin në këtë rrugëtim, si dhe për Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë. Do të jetë takimi më i madh në historinë tonë dhe ne do të jemi mikpritësit më të mirë”, transmeton Gazeta Papirus.
Kryeministri shtoi se biseda me Presidentin e Këshillit ishte gjithmonë “e shkëlqyer”:“Presidenti është mjaft i mençur dhe një person mjaft i vëmendshëm ndaj Ballkanit Perëndimor. Jam i lumtur që ai do të vizitojë vendet e rajonit në prag të samitit”.
Duke folur për ecurinë e negociatave dhe ritmin e çeljes së kapitujve, Rama theksoi rolin e Komisionit Evropian dhe veçanërisht të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos:“Ne duhet të sigurohemi që zonja në këtë sallë të jetë gjithmonë e lumtur me ne. Ndryshe, nuk ka president, mbret apo perandor që na shpëton nga një shpullë në fytyrë”.
Me nota ironike, ai përfundoi duke theksuar besnikërinë tradicionale të shqiptarëve ndaj “perandorive”:“Kjo është e para perandori ku duam të jemi. Ndjenja jonë e besnikërisë nuk mund të përmbushet pa qenë pjesë e saj. Kështu që ishalla”.Samiti i Komunitetit Politik Evropian pritet të mbledhë liderët më të rëndësishëm të kontinentit në Tiranë, në një moment kyç për integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.