Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp në Itali, ku po mbahet panairi i verës së “Open Balkan” së bashku me Aleksandër Vuçiç dhe Dimitar Kovacevskin, tha se mosmarrëveshjet më të mëdha mes Shqipërisë dhe Serbisë lindin kur flitet për Kosovën, raporton ABC News.
“Nëse do të vazhdonim të mos i flisnim njëri-tjetrit e të qëndronim në barrikadat e së shkuarës, sot mund të kishim qenë në një pozicion shumë të keq me të gjitha krizat që janë shpalosur vetëm në kufijtë e Evropës. Natyrisht kemi një mosmarrëveshje të madhe apo një distancë mjaft e madhe kur bëhet fjalë për atë që ju e quani Kosova e Metohia dhe unë e quaj Kosova. Kjo është arsye për të folur më shumë.” – ka thënë Rama.
Ai gjithashtu foli edhe për takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku zbuloi se Kurti ishte më i hapur dhe më konstruktiv se më parë.
Rama theksoi se është e rëndësishme të bisedojmë dhe të ndërtojmë një dialog mes vendeve për të shmangur krizat në rajon.
Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Rama shtoi se është e rëndësishme që të garantohet 100% Asociacioni dhe aspekti fetar i dialogut për qytetarët serb në Kosovë që janë pakicë dhe duhen parë si urë e së ardhmes, jo si problem mes të gjithëve.
“Edhe procesi i normalizimit është në një tjetër pozitë sot. Besoj fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, mendoj që u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër. Jam takuar me Kurtin para pak ditësh dhe është më i hapur e konstruktiv se më parë.” – ka pohuar kryeministri Rama.
“I thashë dhe e përsëris se duhet të nxisim e të sigurohemi se si Asociacioni dhe aspekti fetar i dialogut garantohen 100% për qytetarët serb në Kosovë që janë pakicë dhe duhen parë si urë e së ardhmes, jo problem mes të gjithëve ne në të ardhmen. Këto nuk janë më tabu de i thashë që ka mbështetjen tonë të plotë për të ecur përpara e për të lënë pas krahëve të shkuarën. Jemi këtu për prodhuesit tanë që është shumë më tepër se një produkt, është emir i një vendi. Jemi me ta për t’iu hapur dyert e një prej panaireve më të mëdha.” – ka thënë kreu i Qeverisë së Shqipërisë.