Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vijë në Prishtinë këtë javë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u shpreh i gatshëm ta takojë, duke pranuar se raporti ndërmjet dy vendeve “po lëngon”.
Kurti tha në një konferencë për media se është në kontakt me Ramën, por se s’mund ta takojë atë jashtë kuadrit të mbledhjes së dy qeverive.
“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama dhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të tourit ballkanik. Është thënë që ky tour ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës së Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor dhe unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që meqenëse do të vijë dhe do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm ndonëse ishte paraparë muaj më parë”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë së Kosovës shprehu habinë se si Rama do ta nis ‘tourin’ ballkanik “kaq herët”.
Ai tha se mbledhje e anuluar e dy qeverive që do të mbahej më 14 qershor ishte përgatitur dhe “13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen tash kanë ngelur në sirtar”. Kurti tha se nga to “nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët”.
Kurti përsëriti se i ka propozuar Ramës që ta mbajnë mbledhjen e dy qeverive, pasi për takime, tha se janë takuar disa herë.
“Është e nevojshme për mua që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam thënë, se për takimet e ne të dyve – ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh – nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri dhe demokracia e paqja në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm”, tha Kurti.