Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me situatën mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur kritika për kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai i lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenët, shkruan Gazeta Metro.
Rama në këtë konferencë është pyetur se a do të ja përsëris të njëjtën ftesë kryeministrit Kurti për takim së bashku me ministrat e jashtëm dhe të brendshëm, në lidhje me situatën në veri, ai tha se Kurti nuk e ka dashur këtë takim dhe se po ikë takimit.
Ai tha se Kurti po lexon sondazhet dhe po kënaqet që po i rriten poenët.
“Për mua është shumë e qartë ajo që ka ndodhur. Albini nuk e ka dashur konfrontimin, ballafaqimin për këtë temë…sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenët, por mendoj që Shqipëria nuk është notere dhe nuk mund të jetë kurrë notere e çdo politike që ndjek Kosova, aq më tepër që Shqipëria trajtohet si vëlla i madh, edhe pse unë nuk e kam thënë kurrë këtë”, ka thënë Rama.
Tutje kryeministri shqiptar u shpreh se gjërat nuk janë normale janë keq, derisa tha se po përpiqet të bëjë gjithçka për të shmangur më të keqen.
“Të vijë dita që të diskutohet lojaliteti i aleatëve strategjik ndaj Kosovës, është keq, shumë keq. Ju mendoni që mua më jep ndonjë kënaqësi fakti që pasi nuk jam dakord me Albinin në këtë temë, Albinit nuk i hapet asnjë derë dhe i kthehen mbrapsht edhe vizitat e planifikuara nëpër zyrat e homologëve nëpër Europë apo në Amerikë, kjo është e tmerrshme. Apo që programe të caktuara kanë ngrirë, të BE’së me Kosovën e kështu me radhë”, tha Rama.
Rama tha se sipas disa filozofëve në Kosovë, bashkësia euro-atlantike nuk ekziston.
“Unë nuk hy tek ata që i konsiderojë ndërkombëtarët dhe partnerët si Zotin vet. Zoti është mbi ne dhe mbi ndërkombëtarët, Zoti është mbi Amerikën, dhe mbi Shqipërinë, por në këtë rast është katastrofë që të këputen në këtë mënyrë lidhjet me Kosovës dhe aleatëve, si dhe bashkësinë euro-atlantike. Sipas disa filozofëve në Kosovë, bashkësia euro-atlantike nuk ekziston as si koncept”, deklaroi kryeministri Rama.
Në fund Edi Rma tha se është i gatshëm të takohet me kryeministrin Albin Kurti për situatën e tensionuar në veri të vendit.