Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipërisë dhe UÇK’së, duhet t’i hiqet njolla që iu vendos në raportin e vitit 2011, për trafikim organesh, shkruan Gazeta Metro.
Në përfundim të seancës së sotme të Samitit të liderëve të Këshillit të Europës, Edi Rama iu përgjigj gazetarëve në lidhje me fjalimin që mbajti sot për çështjen e Kosovës dhe raportin e vitit 2011 mbi trafikimin e organeve.
Rama tha se pafajësia e Thaçit është çështje e Tribunalit, por Shqipërisë dhe UÇK’së duhet t’i hiqet njolla.
“Jo, kjo nuk është një çështje pafajësie apo fajësie sepse kjo është çështje e tribunalit. Çështja është e heqjes së një njolle që Asambleja e Këshillit të Europës i ka vënë Shqipërisë dhe Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, nën ndikim e fortë të Rusisë në vitin 2011 dhe bërja e një raporti të ri në dritën e faktit tanimë të stërprovuar që nuk ka pasur kurrë trafik organesh”, tha Rama para gazetarëve.
Kryeministri shqiptar ndodhet në Islandë ku po merr pjesë në samitin e KiE-së.
Në fjalën e tij, Rama përmendi akuzat e hedhura ndaj Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në raportin e 2011-ës, i cili sipas kreut të qeverisë e pati zanafillën pikërisht në këtë këshill.
“Sot në samitin e Këshillit të Evropës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit nisi saktësisht në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij këshilli, Federatës Ruse. Siç iu referua dhe Joe Biden, Washingtoni i Kosovës gjykohet tanimë nga një gjykatë e ngritur dhe themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të 2011-ës të Këshillit të Evropës. I cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në asamblenë e Këshillit të Evropës. Akuza terësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale të njollosjes së Shqipërisë dhe Kosovës.”, tha ai.