Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria ka alokuar 118 milion euro nga Banka Europiane për të ndihmuar sektorin e bujqësisë. Në një takim me fermerët, kreu i qeverisë prezantoi garancinë sovrane në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekësh. Në konferencën e mbajtur për shtyp me ministren e Bujqësisë Frida Krifca, kryeministri tha se janë 6 mijë përfitues nga kjo garanci sovrane.
“Me Bankën Evropiane alokuam 118 milion euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi duke lehtësuar financimin e tyre. Ky mekanizëm hapi rrugën e një qasje në financa për agrobiznesin nëpërmjet një linje kredie dhe ndarjes së riskut. Dhe ajo që kemi sot para syve nuk është një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por për të qenë të bindur se kjo është rruga. Janë 6 mijë përfitues nga fondi i garancisë. Mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit.
Vihet në dispozicion një fond tjetër për të vazhduar në këtë rrugë të kreditimit të bujqësisë. Sot Shqipëria i ka të gjitha rastet e suksesit dhe shembujt për të demonstruar jo më me fjalë por me vepra se cila është rruga e të ardhmes në zhvillimin rural të vendit”, tha Rama