Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshik Radoniqi ka thënë se çështja e problemeve në uebfaqe natën e zgjedhjeve derisa po publikoheshin rezultatet, është në duar të policisë.
Ai konfirmoi se KQZ ka “dyshimet e saj” dhe se të njëjtat janë adrejtuar në polici, kur u pyet nëse dyshojnë se a ka pasur sulm apo ndërhyrje.
“Kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë, pa e marrë raportin nga ta ne nuk do të japim asnjë informacion, kemi dyshimet tona, por ato dyshime tona janë adresu në polici, policia do ta japë raportin pasiqë të marrim ndonjë përgjigje, edhe ne do ta bëjmë publike, tha Radoniq.
Vlen të theksohet se të dhënat e KQZ-së natën e zgjedhjeve e treguan partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje me një numër shumë më të lartë të votave se sa që kishte marrë, duke e ngritur fillimisht në 55 për qind.
Faqja e KQZ-se nuk u stabilizua deri mëngjesin e 10 shkurtit, kur edhe dolën rezultatet.
Sipas rezultateve preliminare, VV ka dalë e para në këto zgjedhje me 40.84 për qind të votave, PDK e dyta me 22.05 për qind, LDK me 17.67 për qind dhe AAK e katërta me 7.45 për qind.