Situata epidemiologjike në Kosovë vazhdon të jetë kritike, si pasojë e rritjes së madhe të numrit të rasteve të reja me COVID-19.
Kjo gjë ka bërë që sot në oborrin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të shihet një numër i madh i qytetarëve të cilët po presin për t’u testuar.
Një gjë e tillë shihet në fotografitë që kanë ardhur në adresë të Telegrafit, ku shihet se rendi i qytetarëve që po presin për t’u testuar është shumë i gjatë.
Kujtojmë se dje në Kosovë janë konfirmuar 728 raste të reja me COVID-19, ndërkaq numri i rasteve aktive ka arritur në 5 mijë e 118.
Si rezultat i kësaj situate, dje komisioni këshillëdhënës për masat kundër COVID-19 ka mbajtur takim në Ministri të Shëndetësisë ku ka diskutuar për situatën epidemiologjike në vend dhe për shqyrtimin e masave anti covid në fuqi.
Në këtë takim është theksuar nevoja e respektimit të plotë të masave të ndërmarra më parë përmes mbikëqyrjes së zbatimit të tyre nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërkohë që popullatës i është bërë thirrje që të vaksinohen plotësisht përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.