Fatkeqësisht, ky është një tjetër veprim agresiv, destabilizues dhe antievropian i qeverisë së Kurtit, që synon dëbimin administrativ të qytetarëve serbë nga Kosova, thotë politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, për Agjencinë Rajonale të Informacionit JUGpress, e pyetur se si e komentoni faktin që serbët nuk do të mund të votojnë më në Kosovë.
“Përpjekja e Kurtit, e cila, për fat të keq, nuk kundërshtohet shumë nga autoritetet serbe, është të detyrojë komunitetin serb në Kosovë që të drejtën e tyre të garantuar nga Ahtisaari për të marrë pjesë në zgjedhjet serbe, ta bëjnë vetëm jashtë Kosovës. Ai dëshiron të krijojë një precedent sipas të cilit serbët do të pranojnë praktikën e daljes në votime në komunat që ndodhen në zonën kufitare rreth Kosovës, d.m.th. të dëbojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës jashtë territorit të Kosovës”, thotë Trajkoviq.
Ajo beson se “serbët nuk duhet të lejojnë të krijohet ky precedent sepse do të kishte pasoja të mëdha për statusin tonë në Kosovë”.
“Propozimi i Aleksandar Vuçiqit për të votuar në zonën kufitare dhe për të sjellë votues nga Kosova me autobusë të organizuar nuk duhet të pranohet as nga serbët e Kosovës dhe as nga opozita serbe, sepse ne e dimë shumë mirë se mbështetësit e kujt do të ishin në ata autobusë, e mos të flasim sa njerëz në Kosovë kanë obligimet e tyre ditore, të cilët do të shkonin në qendrat e votimit në lagjet e tyre, por të cilët, për arsye praktike, nuk mund të shpenzojnë kohë shtesë duke udhëtuar në qendrat e votimit me orë të tëra. Zgjedhje të tilla nuk do të ishin as demokratike dhe as legjitime”, thotë Trajkoviç.
“Unë jam gjithashtu e mendimit se serbët e Kosovës duhet të largohen nga Qeveria e Kosovës në këtë kohë, por jo edhe nga institucionet lokale si vetëqeverisja lokale, gjyqësori dhe policia, të cilat janë jetike për komunitetin tonë”, shtoi ajo.
Ajo beson se largimi i serbëve nga Qeveria e Kosovës do të dërgonte një sinjal të fortë, do të rrezikonte qeverinë e Kurtit dhe do të shkaktonte krizë të legjitimitetit institucional.
“Fatkeqësisht, problemi i serbëve në Kosovë është se ka shantazhe në nivel lokal. Këto ditë jemi dëshmitarë të arrestimeve për korrupsion të personave të afërt me Listën Serbe, gjë që është shqetësuese, sepse këta persona aktualisht janë më të shqetësuar për të ardhmen e tyre sesa për interesat e komunitetit serb dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për të votuar në zgjedhjet serbe. Si të tillë, përfaqësuesit tanë vendorë janë shumë më pak të gatshëm t’i bëjnë rezistencë të qartë iniciativave të Kurtit”, tha Trajkoviq.
E pyetur se si është e mundur që Kurti t’i refuzojë vendet e Kuintit dhe se sa të sinqertë kanë qenë ata që kanë kërkuar që serbët të votojnë në Kosovë më 3 prill, ajo tha se “beson se ata ishin të sinqertë”.
“Fatkeqësisht, kam përshtypjen se Kurti dhe Vuçiq fillimisht u përpoqën të bien dakord për zgjedhjet drejtpërdrejt, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, por nuk ia dolën. Ata hynë në ato negociata aq thellë sa Vuçiq e uli nivelin e pozitës serbe deri në opsionin që oficerët ndërlidhës, jo OSBE-ja, të jenë përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve. Për fat të keq, kjo qasje doli të ishte kundërproduktive”, thotë ajo.
Në pyetjen se si mund të ndikojë lufta në Ukrainë në situatën në Kosovë, Trajkoviç thotë se “Putini e përmend me këmbëngulje Kosovën si shembull që ai e ndjek në agresionin e tij kundër Ukrainës”.
“Prandaj ai është i frymëzuar nga projekti i Shqipërisë së Madhe, që padyshim po zbatohet në Ballkan dhe për parandalimin e të cilit nuk po punohet shumë – nëse nuk llogariten dënimet sporadike të disa diplomatëve. Përderisa Evropa toleron disa nacionalizma “të mëdhenj” të privilegjuar në territorin e saj dhe i lejon ata të kenë sukses, Putini do të përpiqet të destabilizojë rajonin dhe të përdorë precedentët që janë krijuar këtu për qëllimet e tij të liga”, nënvizon Trajkoviç.
E pyetur se pse serbët nuk kërkojnë që të respektohet Ligji për Vetëqeverisjen Lokale të Kosovës dhe të krijohet një Bashkim i komunave me shumicë serbe të paraparë në atë ligj, në vend që të insistojnë në Marrëveshjen e Brukselit, Trajkoviq tha se “kjo thjesht nuk është temë për Kurtin, komunitetet janë të kërcënuara në kuptimin ekzistencial”.
“Tashmë edhe komuniteti ndërkombëtar e ka të qartë se Kurti po punon për dëbimin administrativ dhe revokimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Nëse ai ia del mbanë këtij qëllimi, është logjike të pritet një fazë e spastrimit fizik dhe etnik të komunitetit tonë, veçanërisht në zonat poshtë Ibrit, të cilat ‘çrregullojnë’ kompaktësinë etnike”, paralajmëron Trajkoviq.
Ajo shton se “Kurti thjesht po punon për projektin e Shqipërisë së Madhe dhe nuk do të heqë dorë lehtë nga ai projekt”.
“Prandaj, është vërtet cinike kur Kurti – i cili është ideologjikisht shumë më afër Putinit etnonacionalist sesa liderit qytetar si Zelensky, po përpiqet të përdorë agresionin rus kundër Ukrainës për të fituar pikë politike dhe PR agresive në avantazhin e tij në arenën ndërkombëtare”, përfundon Rada Trajkoviq.