Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ish-bashkëpunëtore e ngushtë e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, në një intervistë për gazetën “Nova” ka folur për historikun e vrasjes së Ivanoviqit më 16 janar 2018. Trajkoviqi ka theksuar se vrasja e Ivanoviqit nuk do të zbardhet pa u ndërruar qeveria serbe.
Trajkoviqi ka thënë se qeveria në Beograd dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po e pengojnë procesin e zbardhjes së kësaj vrasjeje, duke i mbrojtur Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin. Të dy këta, së fundmi u sanksionuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe sipas Trajkoviq, pas vrasjes së Ivanoviqit, ata arritën të bëhen milionerë.
Autoritetet shtetërore nga Beogradi janë të përfshirë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në pengimin e procesit për vrasjen e Oliverit dhe po përpiqen në çdo mënyrë t’i mbrojnë njerëzit që dyshohet se e kanë organizuar atë. Kjo shihet në qëndrimin ndaj Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit. Që nga dita e kryerjes së asaj vepre kriminale, ata u bënë milionerë në Serbi. Dhe si? E pra, ia dolën sepse kanë mbështetjen e organeve shtetërore të Serbisë – Qeverisë, Vuçiqit dhe qarqeve të caktuara të BIA-s. Ajo që dimë të gjithë është se në momentin që procesi për vrasjen e Oliverit trajtohet më seriozisht, qeveria në Beograd duhet të bjerë”.
“Raporti amerikan flet shumë për lidhjen e krimit, BIA-s dhe politikës, gjë që në fund shihet nga fakti se Radojiçiq dhe Veselinoviq u bënë milionerë për vrasjet e Oliverit, të gjitha punët i marrin nga shteti. Në një kohë, Marko Jaksiq kishte deklaruar se disa anëtarë të familjes Vuçiq ishin te Radoiçiq, duke e festuar ditëlindjen”, ka thënë Trajkoviqi.Ajo ka thënë se deklaratat e Vuçiqit për vrasjen dhe veçanërisht për kalibrin e plumbit që e la atë të vdekur, nuk ishin në përputhje me gjendjen reale. Kjo, sipas saj u tha nga mjekët.
Trajkoviqi ka thënë se lidhjen e Vuçiqit me këtë krim e bën edhe fakti që një deklaratë e saja dhënë në prokurori për këtë rast, ishte prezantuar nga presidenti serb në një konferencë për media.
“Në atë mënyrë më thirri drejtpërdrejt që të jem përgjegjëse për të gjithë personat që u arrestuan nën dyshimin se kanë marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë ajo.
Në dhjetor, kur Policia e Kosovës ndërmori një aksion në rastin që tani njihet si “Brezovica” dhe i arrestoi disa zyrtarë të Komunës së Shtërpcës, përfshirë ish-kryetarin, Trajkoviq tha se ishin të përzgjedhurit e nënrkyetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pak para zgjedhjeve lokale në Kosovë, një numër i madh i ish-kryetarëve të komunave nuk kanë mundur të rikandidohen për shkak se akuzohen si kriminelë. Kjo na tregon se liderët e Listës Serbe me shumë gjasa janë vëzhguar për një kohë shumë të gjatë sa i përket dyshimeve për veprat penale që i kanë kryer nëpër institucione. Ajo që ndodhi në Shtërpcë, arrestimet, në fakt ishte ajo që prisnin qytetarët e vendit. Shumë projekte janë shfrytëzuar në interes të zyrtarëve të caktuar”, kishte thënë për “Danas”, Rada Trajkoviq.