Përkundër se kanë marrë të dy dozat kundër coronavirusit, qytetarëve të Kosovës nuk po iu pranohet dëshmia e vaksinimit në disa vende të Evropës.
Së fundmi, thuhet se në redaksinë e Telegrafit kanë arritur disa ankesa nga qytetarët, ku kanë treguar se në Zvicër nuk iu është pranuar dëshmia e vaksinimit.
Lidhur me këtë problem, nga Ministria e Shëndetësisë thonë së janë duke punuar me Komisionin Evropian në mënyrë që qytetarët të mos kenë probleme.
“Çështja e njohjes së certifikatës është individuale nga shtete të ndryshme. Ka mjaft shtete ku qytetarët nuk kanë fare problem me certifikatë, madje ka edhe shtete që me notë verbale e kanë njohur certifikatën e vaksinimit të Kosovës, derisa ka edhe të atilla që se njohin ende. Kosova po punon me Komisionin Evropian që qytetarët të mos kenë probleme lidhur me lëvizjen për shkak të certifikatave”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.636.378 doza të vaksinës.
Deri më sot 769.967 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Në Kosovë janë duke u dhënë dy lloje të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer dhe Astra Zeneca.
Vendi ynë është duke vazhduar me disa masa kufizuese, ku pas orës 24:00 deri në ora 05:00 në gjithë vendin vlen ora policore, ndërkaq nga 3 janari 2022 në Kosovë nuk mund të hyjnë qytetarët që nuk i kanë dy dozat kundër virusit.