Qytetarët e disa lagjeve në kryeqytet po ankohen për numër të madh të mushkonjave dhe mosdezinsektimin e hapësirave. Që nga fillimi i sezonit të verës, ata thonë se vetëm një herë kanë parë ekipe në terren.
Ata, madje dyshojnë se edhe në këto raste, dezinsektimi nuk është bërë si duhet. Ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës mohojnë një gjë të tillë, duke thënë se mushkonjat janë problem evropian si shkak i reshjeve të shumta atmosferike.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku deklaron se kanë përfunduar tri fazat e këtij procesi nëpër lagjet e kryeqytetit. Ndërsa, faza e katërt është paraparë që të fillojë sot, më 29 korrik.
ADVERTISING
Qytetari Venhar Isufi, i cili jeton në lagjen “Gjergj Fishta” shprehet se dezinsektimi në këtë lagje është bërë vetëm një herë që nga fillimi i verës. Madje, ai dyshon se spërkatja është bërë me ujë, në vend të insekticidit.
“Dyshohet se dezinsektimi është bërë me ujë dhe nuk është spërkatur me ujin i cili apostafat për dezinsektimin e mushkonjave, të cilat mundësojnë zhdukjen e mushkonjave. Ne e kemi parë që nuk ka pasur një reflektim nga Komuna e Prishtinës, që në këtë lagje të shton më shumë ekipe të cilat bëjnë dezinsektimin e lagjeve, sepse dihet se herëve të kaluara kemi pasur nga dy ekipe të cilat kanë ardhur dhe e kanë bërë dezinsektimin e lagjes dhe kësaj radhe e kemi parë një mungesë apo mos marrje të vendimit që një gjë e tillë të ndodhë përsëri”, shprehet Isufi.
Ndër të tjera, Isufi shprehet se banorët e lagjes ku jeton po ballafaqohen me vështirësi të mëdha si pasojë e pranisë së madhe të mushkonjave.
“Kanë thënë se kjo është faza e katërt nëse nuk gaboj, që do të bëhet dezinsektimi, por mushkonjat vetëm se janë shtuar. Nuk është bërë pra zhdukja e tyre, dhe të gjithë banorët e kësaj lagjeje kemi vështirësi ndaj tyre, mezi po e bëjmë edhe gjumin të rehatshëm.
Mendoj se Komuna duhet të reflektojë sa më shpejt dhe ekipet e tyre t’i dërgojë në lagjen tonë. Mos të bëhen ndasi të lagjeve, sepse e dimë që ka probleme edhe në lagje të tjera të kryeqytetit, ku nuk është bërë dezinsektimi ashtu siç është prolonguar nga Komuna e Prishtinës”, shton ai.
Sa i përket këtyre dyshimeve, nga Komuna e Prishtinës thonë se përgatitja e një dezinsektuesi bëhet para ekipeve që e monitorojnë këtë proces.
Ankesa të tilla ka pasur edhe nga shumë qytetarë të tjerë përmes rrjetit social “Facebook”. Të njëjtit jetojnë në lagje të ndryshme të kryeqytetit, si në “Bregun e Diellit”, “Sahat Kulla” dhe në “Kalabri”.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Zadiku thotë për KosovaPress se dezinsektimi në lagje të ndryshme është bërë në tri faza.
“Ky problem është evropian, jo vetëm i Kosovës, rritja e mushkonjave për shkak të reshurave atmosferike, kanë probleme edhe komunat e tjera të Kosovës. Kanë filluar komunat, të cilat s’kanë bërë kurrë dezinsektim, të bëjnë, për shkak të rritjes së mushkonjave, kushtet klimatike kanë bërë të shtohen. Ju e keni sot barin, që është rrit gjatë kohës, që është burim për lavicite, për me pas lavra të insekteve dhe kur rritet numri shumë i madh është vështirë që janë paraparë gjashtë faza.
Është rregull, se asnjëherë nuk është bërë më një fazë procesi, janë gjashtë faza të procesit me qëllim që të mbahen në nivel epidemiologjik numri i insekteve. Ne e kemi shtuar numrin e ekipeve në fazën e tretë, kemi shtuar ekipet monitoruese dhe e kemi zgjatur kohën, koha ka qenë diku prej orës 20:00 deri në ora 23:30, ne e kemi zgjat deri sa ka nevojë , deri ora 1:00 apo 1:30”, deklaron Sadiku për KosovaPress.
Më tej, ai shton se në rastet e reshjeve atmosferike, dezinsektimi nuk ka efekt dhe kanë shtyrë këtë proces për tri javë.
“Gjatë kësaj periudhe sigurisht është rritur numri i insekteve, dhe kur kemi filluar më 18 qershor, numri ka qenë shumë i madh, dhe pastaj i kemi bërë 6 faza. Faza e parë është kryer pa asnjë ndërprerje, s’ka pasur shi.
Pastaj, kemi filluar më 3 korrik fazën e dytë, por ka pasur ndërprerje në atë fazë, se mos të gabohem dy ditë prej gjatë ditëve sa zgjat procesi, ka pasur të reshura të shiut, dhe kur ka të reshura, ne jemi të obliguar që t’i shtyjmë për një ditë, dhe fazën e tretë e kemi filluar me datën 14…
Faza e katërt fillon (të shtunën, datë 29 korrik) me larvicide është substancë që e mbytë lavrat e insekteve, të cilat do të hedhen nesër dhe pasnesër, në të gjitha pusetat, lagjet, hapësirat ku ka mushkonja apo mund të ketë lavra, dhe pastaj dezinsektimi fillon të hënën (31 korrik) dhe zgjat 6 ditë, çdo lagje është e përcaktuar”, njofton ai.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë flet edhe për qëllimin e dezinsektimit të hapësirave kundër mushkonjave dhe insekteve.
“Dezinsektimi hapësinor është një proces, i cili bëhet që disa vite në Prishtinë, qëllimi i të cilit është për të zvogëluar numrin e mushkonjave dhe insekteve, të cilat janë bartëse të shumë sëmundjeve ngjitëse, si tularimia, ethet hemorragjike, sëmundje…”, tha ai.