Për një orë për parkimin e veturës në ambientet e QKUK-së qytetarët duhet të paguajnë 50 centë, mirëpo në kohë pandemie, kur qytetarët qëndrojnë aty me orë të tëra, parkimi i veturës po u kushton 7-10 euro gjatë ditës. Kjo po paraqet problem për ta, pasi pos kësaj shume, ata duhet të mbulojnë edhe koston e udhëtimeve ose terapinë për të sëmurët.
Nusret Kelmendi, nga Ribari i Vogël i Lipjanit, i cili e ka nënën të shtrirë në Klinikën Infektive, thotë se kjo po ua rëndon shumë më tepër gjendjen financiare.
“Detyrohemi të paguajmë 7-10 euro për parkim në QKUK. Diçka këtu nuk është në rregull. Edhe kryen pagesën, edhe nuk gjen parkim, ose nuk ke siguri për veturën dhe maltretohesh. Ky është maltretim dhe plaçkitje e popullit”, deklaroi Nusret Kelmendi.
Zyra për Media e SHSKUK-së thotë se kjo çështje është e rregulluar me anë të rregullores së brendshme të institucionit.
“Çështja e rregullimit të parkingjeve është e përcaktuar me rregulloren e miratuar me 25.1.2019 për shfrytëzimin e parkingut në hapësirat e QKUK-së. Edhe çmimet janë të përcaktuara nga rregullorja në fjalë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së. /rtklive