Qytetarët vazhdojnë të ankohen për çmimet e larta të derivateve, ku thonë se janë të papërballueshme për standardin jetësor në Kosovë. Një gjë të tillë thonë se e kanë vërejtur edhe bashkatdhetarët, që vështirë mund të bëjnë dallimet me vendet ku jetojnë.
Megjithatë, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani thotë se vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës po respektohet nga naftëtarët.
Sot (e mërkurën), KosovaPress ka vërejtur se në tregun e Kosovës se një litër naftë është treguar deri 1.43 euro për litër dhe 1.46 euro euro për një litër benzinë.
Qytetari Fehmi Preniqi nga Prishtina është ankuar sa i përket çmimeve të naftës, ku thotë se janë të papërballueshme bazuar me standardin e Kosovës.
“Jo të shtrenjta, po shumë të shtrenjta sa i përket standardit në Kosovë, dihet standardi dhe në bazë të standardit shumë të larta janë çmimet. Por arsyetimi gjoja se lufta në Ukrainë, jo anej, jo knej dhe nuk kemi çfarë të bëjmë duhet të pajtohemi… Unë çdo ditë jam në rrugë, çdo ditë voziti, çdo të katërtën ditë, të pestën ashtu është profesioni të cilin e zhvilloj, qes naftë dhe kurrë çmimet e derivateve stabile nuk kanë qenë. Këtu sipas dëshirës. Por, në bazë të standardit shumë të larta janë”, thotë ai.
Nuk ka kontrolle të çmimeve, siç thotë ai, për çka qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme.
“Faji është jetim, nëse dëshiron leja naftëtarëve që e sjellin, nëse dëshiron institucioneve, qeverisë. Qeveria duhet të merr masa, sepse këtu nuk ka kontroll. Qeveria mund të ndikojë se dikush tjetër jo. Duhet të marrin masa ose duhet të merren me akcizë që me zbrit, se përndryshe është problem, se shumë çmime të larta janë”, shton qytetari nga Prishtina.
Të njëjtin mendim e ndan edhe qytetari nga Danimarka, Nazmi Krasniqi, për çka konsideron se çmimet e derivateve nuk kanë dallim me vendin ku jeton.
“Shtrenjtë, gati si në Danimarkë janë, çmimet e njëjta. Shumica qashtu, gati të njëjtin nivel…Gati njëjtë, atje janë 1 euro e 80 cent, këtu 1 euro e 40 cent, 40 cent më lirë… Qeveria me ua shtrënguar pak se edhe nafta nuk është e cilësisë si duhet, as nuk është litër. Se unë e dalloj menjëherë sa litra mi qet”, shprehet ai.
Abib Shabani, i cili jeton në Gjermani, i tha KosovaPress-it se çmimet në Kosovë, përfshirë edhe të derivateve janë të larta.
“Pak më duken të shtrenjta, pak po… Çmimet e naftës megjithatë janë të volitshme, jo sikur atje, por me disa markete janë shumë më të larta çmimet këtu…Pak janë çmimet e shtrenjta në krahasim të rrogave të këtuhit”, thotë ai.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka treguar për KosovaPress çmimet mesatare të derivateve, që janë tregtuar sot në Kosovë.
“Vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke u respektuar, por megjithatë ne kemi bërë ankesë në këtë ministri dhe për më tutje do të vendosë Kuvendi i Shoqatës së Naftëtarëve. Çmimet mesatare në tregun e Kosovës janë: dizelli 1.40 euro për litër dhe benzina 1,43 euro përafërsisht”, tha ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Së fundmi, Ministria e industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës. Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër, kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër.