Qeveria e Kosovës thotë se është duke zhvilluar dialog me serbët lokalë, përkatësisht me përfaqësuesit e tyre dhe me disa organizata të shoqërisë civile, por se ai po bëhet larg syve të publikut, me qëllim mbrojtjen e tyre nga “presionet dhe kërcënimet” e “strukturave ilegale dhe grupeve të lidhura me to”.
“Së fundmi, më saktësisht javën e kaluar, kryeministri [Albin Kurti] ka zhvilluar një takim me dhjetë serbë lokalë, udhëheqës të organizatave të shoqërisë civile në vend”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Pra, komunikimi dhe dialogu me serbët lokalë po ndodh, por po zhvillohet në atë mënyrë që nuk i cenon vetë ata”, tha ai, pa dhënë detaje të tjera.
Për mungesë të dialogut institucional me serbët lokalë u fol të hënën në Prishtinë gjatë publikimit të një hulumtimi me titull “Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” nga organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut.
Drejtori i kësaj organizate, Midorag Milliqeviq, tha se mungesa e dialogut të tillë çoi edhe në largimin e serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës.
“Aktualisht është shumë e qartë se kemi një vakum institucional, për të cilin, në këtë moment, askush nuk mund të thotë me siguri se kur do të eliminohet dhe nëse do të mund të vendoset funksionaliteti i institucioneve në veri të Kosovës”, tha Milliqeviq.
Për shkak të insistimit të Prishtinës zyrtare që serbët në veri të Kosovës t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa që i lëshon Kosova dhe jo Serbia, pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës në veri – përfshirë policinë, gjyqësorin dhe komunat – në fillim të nëntorit.
Largimin e tyre e mbështeti edhe Serbia, e cila u zotua se punëtorëve të dorëhequr, do t’ua kompensojë rrogat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës.
Disa serbë që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se kanë dhënë dorëheqje për shkak të presioneve të ndryshme brenda komunitetit.
Organizata Aktiv publikoi hulumtimin “Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” për të shtatin vit radhazi.
Ajo tha se anketa e sivjetme është kryer me 540 persona nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, në periudhën qershor-gusht.
Aktiv tha se anketa është kryer në një “atmosferë të tensioneve të shtuara” dhe me “një ndjenjë në rritje se situata e sigurisë po përkeqësohet ngadalë”.
Tensionet në Kosovë kanë nisur në fund të korrikut, kur disa serbë në veri kanë ngritur barrikada, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të filluar procesin e riregjistrimit të veturave.
Ato kanë shkuar duke u rritur deri javën e kaluar, kur Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur një marrëveshje, sipas së cilës, Qeveria e Kosovës është tërhequr nga vendimi për riregjistrimin e makinave, ndërsa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.