Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Perparim Kryeziu ka shkruar se Serbia ka shkelur tetë prej neneve të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe një prej neneve të Planit të Zbatimit, shkruan Gazeta Express.
Kryeziu ka shkruar se këto shkelje të Serbisë janë prezantuar nga kryeministri Albin Kurti edhe tek ndërmjetësit në Bruksel në takimin e dy majit.
“Brenda dy javëve pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit. Kjo është përmbledhja, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë.Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel”, ka shkruar Kryeziu.
Për këto shkelje dje gjatë ditës ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i cili është edhe anëtar në Komisionin e BE-së për mbikqyrjen e implementimit të marrëveshjes së Ohrit.
Ky inistim i Qeverisë Kurti për të argumentuar shkelje e Serbisë vjen pas rezistencës së BE-së për të konstatuar se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Ohrit dhe qëndrimin e menjëhershëm se Kosova me vendimin për shkarkimin e Ekipit Menaxhues të Asociacionit ka shkelur marrëveshjen.
Dje gjatë ditës ndaj një qëndrimi të tillë të Peter Stanos ka reaguar edhe shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Kusari ka shkruar se reagimi i BE-së do të kishte kredibilitet nëse Brukseli do të kritikonte Ekipin Menaxhues për draftin antikushtetues që kishte propozuar në Bruksel në kundërshtim me partimet evropiane, raporton Express.
Edhe këshilltari për media i kryenegociatorit Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me konstatimin e BE-së se vendimi i Kosovës për shkarkimin e Ekipit Menaxhues është kundër marrëveshjes. Zëdhënësi i Bislimit, Klisman Kadiu madje kishte thënë se zëdhënësi i BE-së me deklaratat që bën tregon se nuk e njeh pothuajse fare procesin e dialogut.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si përshëmbull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes.Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, ka shkruar Kadiu.
Qeveria e Republikës së Kosovës përmes ministrit Elbert Kransiqi kishte marrë vendim për shkarkimin e Ekipit Menaxhues për Asocaicionin më 3 maj, një ditë pasi ky ekip i drejtuar nga Danijela Vujicicic kishte prezantuar draft-statutin për Asocaicionin në Bruksel.
Ndaj këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës ka reaguar Bashkimi Evropian duke thënë se mandati i Ekipit Menaxhues përfundon në momentin që finalizohet drafti për Asociacionin dhe kur të fillon implementimi.