Zëvendës-kryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se kanë vetëm edhe pesë ditë kohë për të krijuar ekipin monitorues të marrëveshjeve në Ohër e Bruksel.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se aktualisht nuk kanë harmoni me palën serbe se si duhet të jetë struktura e këtij ekipi.
Ai ndër të tjera ka deklaruar se si palë kanë dhënë propozimin e tyre, e që është ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
“Afati për caktimin e ekipit të parë monitorues është 18 prilli, kemi mos-harmoni të qëndrimeve me palën serbe se si duhet të duket struktura e këtij ekipi. Pala kosovare thotë që ekipet të jenë të ndryshme nga kryenegociatorët, e Serbia mendon se ai duhet të jetë edhe kryenegociator, edhe në krye të ekipit. Kemi dërguar nominimin tonë për këtë pozicionin, presim që para takimit të krerëve të Qeverisë, BE-ja të vendosë strukturën. Kemi nominuar Agron Bajramin, ambasador i Kosovës në Bruksel.” – ka thënë Bislimi.