Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i ka reaguar zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, e cila i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës për ta miratuar Ligjin për liritë fetare.
“Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare, por dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë se ai mbetet i bllokuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti në platformën X.
Para mediave të martën, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta mbështesin miratimin e këtij ligji.
“Për projektligjin ne bëjmë thirrje që të miratohet Ligji për liritë fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit të mbështesin miratimin e këtij ligji”, është shprehur ajo, kur u pyet për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.