Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë për këtë vit, ka votuar me të gjitha votat pro propozimin për rritjen e skemave pensionale.Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, deklaroi se nuk do të ketë asnjë pension nën 100 euro, derisa njoftoi se Ministria e Financave ofroi një propozim të këtillë, shkruan lajmi.net.
“Shqyrtimi i propozimit të rritjes së skemave pensionale. Siç kemi premtuar, nuk do të ketë asnjë pension nën 100 euro. Andaj Ministria e Financave ka ofruar propozimin për rritjen e skemës pensionale nën 100 euro”, deklaroi ai.
Në anën tjetër, Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se rritja do të jetë për kategoritë si vijojnë: pensioni bazik, i aftësive të kufizuara, familjar dhe ai invalidor.
“Siç e theksoi edhe kryeministri, ne me të marrë mandatin, në kuadër të pakos, kemi marrë vendim që përgjatë tërë vitit 2021, asnjë pension të mos ishte nën 100 euro. Këtu ishin katër kategori, janë pensionet bazike që kishin vlera 90 euro, pensionet me aftësi të kufizuara 75 euro, pensioni familjar 90 euro dhe pensioni invalidor 90 euro. Siç edhe kemi premtuar, tani i kemi edhe të reflektuara edhe në buxhet dhe kjo shtesë do të bëhet rritje të përhershme. Që nga tani e tutje asnjë nga këto kategori nuk do të jetë nën 100 euro”, deklaroi Murati. /Lajmi.net/