Qeveria e Kosovës i ka lënë për më shumë se dy orë jashtë ndërtesës së saj gazetarët, të cilët janë duke e përcjellë takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me emisarin amerikan në bisedimet Kosovë -Serbi Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.
Takimi tre palësh ndërmjet Kurtit-Escobar-Lajçak, ishte paralajmëruar edhe nga ekzekutivi përmes një komunikate për medie.
Gazetarët që po qëndrojnë aty në temperatura të ftohta, kanë thënë se askush nga zyra e Kryeministrit nuk ka dalë që t’i ftojë brenda.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhej në komunikatën e Qeverisë.