Brenda dy javësh, pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit. Kështu ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke publikuar një përmbledhje në gjuhën shqipe, të të gjitha shkeljeve të Serbisë.
Kryeziu ka thënë se këto shkelje kryeministri Kurti i ka prezantuar para ndërmjetësve evropianë në dialog, në takimin e 2 majit në Bruksel.
Zëdhënësi Kryeziu ka publikuar në shqip dokumentin që përmbledh shkeljet e Serbisë, ku renditet fakti që Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e luftës dhe kërcënon integritetin territorial të Kosovës.
Më poshtë mund të lexoni shkeljet e marrëveshjes që ka bërë Serbia, të cilat kryeministri Kurti i ka dokumentuar para ndërmjetësve evropianë në dialog, në takimin e 2 majit në Bruksel.
“Para se të thahej boja e marrëveshjes, Serbia filloi të ri-interpretojë, tërheqë dhe hollojë atë për të cilën është marrë vesh. Dy javë pas miratimit të marrëveshjes, lista e shkeljeve të Serbisë është zgjatur për të plotësuar 9 faqet në vijim.
Deklaratat dhe veprimet e Serbisë tregojnë se udhëheqja e saj nuk është e interesuar për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën, një kontradiktë e madhe me atë për të cilën Serbia është pajtuar.
Serbia ndërhyn vazhdimisht në punët e brendshme të Kosovës, deri në nivelin e minimit të hapur të funksionimit bazik në shumicën e zonave me popullsi të madhe të serbëve të Kosovës. Nxitja e serbëve të Kosovës për bojkotim dhe kërcënim me kryengritje, janë pengesa të qarta që bllokojnë serbët e Kosovës në gëzimin e përfitimeve për të cilat kanë të drejtë nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Kurti.
“Serbia vazhdon të mohojë krime të mirëdokumentuara të së kaluarës dhe vazhdon të përdorë gjuhë shpifëse ndaj dhjetëra mijëra personave të pafajshëm të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe intervenimit humanitar të NATO-s (fjalimi i Vuçiqit në Sombor, 24.03.2023). Disa komentues serbë argumentojnë se Serbia është në një situatë të vitit 1939. Serbia kërcënon haptas se do të shkelë integritetin territorial të Kosovës, duke deklaruar se një pjesë e territorit të Kosovës, d.m.th. katër komunat në veri të Kosovës, janë “të okupuara” (Konferenca për media e Vuçiqit, 24.04.2023). Kjo është po ashtu një kërcënim ndaj paqes, meqë deklarimi i një pjese të territorit si “të okupuar” nënkupton edhe obligimin për ta “çliruar” atë”, thuhet në dokumentin e prezantuar nga kryeministri Kurti në takimin e 2 majit në Bruksel.
“Serbia kontrollon drejtpërsëdrejti partinë “Lista Serbe” në Kosovë dhe qëndron prapa vendimit për të bojkotuar zgjedhjet më 23 prill në katër komunat veriore. Të shtyrë nga ambicie politike, bojkotimi sjell dëm ndaj demokracisë lokale dhe aranzhimeve për integrim të parapara në Marrëveshjen e Bruskelit të vitit 2013 mbi Parimet e Normalizimit të Marrëdhënieve. Kjo paraqet shkelje të zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme dhe përbën veprim jomiqësor, duke shkelur e këtë Marrëveshje. Serbia vazhdon t’i referohet Kosovës si “Kosovo i Metohija” apo Prishtina. Kjo paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të parimit që palët do të respektohen në marrëdhëniet e tyre interne, duke përfshirë njohjen e duhur të emërtimeve siç përkufizohen në Marrëveshjen Bazë. Sjelljet e Serbisë minojnë seriozisht marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Serbia ende po drejton një varg të gjerë të funksioneve administrative dhe të bazuara në shërbime brenda territorit të Kosovës. Kjo pengon parimin e marrëdhënieve miqësore, meqë përbën ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Serbia ende nuk ka lejuar automjete me targa RKS që të hyjnë brenda kufijve të vet pa ngjitëse. Prandaj, ajo ende nuk i njeh targat RKS. Serbia ende nuk ka ndërprerë targa “KM”; kjo përbën kontradiktë absolute me parimin e njohjes reciproke të targave në juridiksionet përkatëse të të dy shteteve. Serbia ka ndaluar automjete të cilat ishin regjistruar më përpara me “KM” dhe që së fundmi kanë bërë tranzicion në targa “RKS”, që të hyjnë në territorin e saj, edhe me ngjitëse. Kjo paraqet shkelje të obligimit të njohjes reciproke të targave. Serbia ka refuzuar të lejojë qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë në dhe përmes territorit të Serbisë me pasaporta RKS, gjë që bie në kontradiktë me nenin 1(1).
Duke u përpjekur të krijojë distancë nga marrëveshja, siç ka pohuar vetë presidenti Vuçiq, ai refuzoi ta nënshkruante, për të shmangur barazinë, e cila parashihet shprehimisht në marrëveshje (19 mars 2023, një ditë pas aneksi të dakorduar)”, ka thënë Kurti.
Më tej Kurti argumenton, “Në fillim të prillit, presidenti Vuçiq premton se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë deri në fund të mandatit të tij, një shkelje e qartë e këtij neni, si dhe të nenit 6, ku Serbia zotohet që të angazhohet në një proces drejt zgjidhjes përfundimtare.
Presidenti Vuçiq dhe ministri i punëve të jashtme Daçiq të Serbisë po deklarojnë publikisht se “nuk do të njohin kurrë pavarësinë e Kosovës”. Kjo bie në kontradiktë me parimin e respektit reciprok për pavarësinë dhe barazinë sovrane të njëra- tjetrës. Po ashtu, ajo paraqet shkelje të parimeve të Kartës së OKB-së, të cilat kërkojnë që shtetet të përmbahen nga veprimet që zvogëlojnë atributet e personalitetit sipas së drejtës ndërkombëtare.
Serbia shkel nenin 2 duke deklaruar se një nga të ashtuquajturat “vija të kuqe” është themelimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në kontekstin e Kartës së OKB-së.
Serbia ende refuzon të pranojë se, me nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje, duhet të reflektojë mbi nevojën për të avancuar të drejtat e personave që iu takojnë minoriteteve përkatëse. Presidenti Vuçiq i Serbisë ka deklaruar se ai së shpejti do t’i drejtohet Kuvendit të Serbisë me një dokument për miratim, mbi “vija të kuqe” në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Ky veprim paraqet shkelje të nenit 27 të Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, e cila parasheh se palët nuk mund të thirret në të drejtën e brendshme si justifikim për dështimin për të përmbushur obligimet në një traktat (Marrëveshja Bazë).
Ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Daçiqi, ka vazhduar të bëjë vizita në disa vende, me qëllim që t’i bindë për të “anuluar” — edhe pse pa bazë juridike — aktin e njohjes së Republikës së Kosovës. Kjo bie drejtpërsëdrejti në kontradiktë me obligimet e parapara në Kartën e OKB-së mbi njohje reciproke të barazisë sovrane të njëra-tjetrës, pavarësinë dhe integritetin territorial.
Vazhdimi i bojkotimit nga serbët e Kosovës ndaj policisë, gjykatat dhe institucione të tjera përbën shkelje edhe të marrëveshjeve të mëparshme, edhe të nenit 1 për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sepse kërkon që të ndryshojë kushtet e marrëveshjeve të mëparshme dhe të minojë sundimin e ligjit, rendin dhe procesin politik brenda palës tjetër”. Është e papranueshme që të përdorë tërheqje dhe barrikada si mjet për të kërkuar ri-interpretimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve”.
“Kryenegociatori i Serbisë dhe kryetari i partisë “Lista Serbe” në Kosovë kanë bërë thirrje bashkërisht (një shenjë e veprimit të bashkërenditur) që institucionet e Republikës së Kosovës të lirojë një person të burgosur së fundi, i cili është ngarkuar me veprën penale të zjarrvënies së pronës. Nëse kjo kërkesë nuk plotësohet, Serbia u zotua se serbët do të përgjigjen me barrikada në veri të Kosovës, gjë që paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Po ashtu, kjo paraqet shkelje të parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të Kosovës”.
Kurti gjithashtu ka thënë se “Serbia shkeli drejtpërsëdrejti nenin 4, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE në mbledhjen e Komitetit të Ministrave, Strasburg (24.04.2023).
Ministri i punëve të jashtme i Serbisë kritikon përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës (15 prill 2023). Serbia loboi kundër njohjes së Kosovës në disa raste, në mënyrë direkte dhe indirekte, duke marrë pjesë në Samite:
(a) Fjalimi i Daçiqit, Samiti i Grupit të Kontaktit të Lëvizjes së Palidhur, Baku Azerbajxhan, 02.03.2023 – “e drejta ndërkombëtare, integriteti territorial, mosnjohja e Kosovës – pavarësia e vetëshpalluar e së ashtuquajturës Kosovë”),
(b) takime dypalëshe (Takim me presidentin e Guinea Bissau 06.04.2023);
(c) takimi i Daçiqit me MPJ-në e Kirgistanit 06.04.2023; kryetar i Kuvendit me ambasadorin e Kazakstanit, 28.03.2023 – “ruajtja e integritetit territorial”,
(d) biseda telefonike (Daçiqi dhe MPJ-ja e Moldavisë, 02.03.2023 – “integriteti territorial”),
(e) letra urimi (Daçiqi MPJ-së së Kinës, 12.03.2023 – “integriteti territorial”) etj.
Qëndrimi i Serbisë që Kosova nuk mund të anëtarësohet në OKB apo, më vonë (duke parë mungesën e reagimeve të forta ndërkombëtare ndaj së parës), në agjencitë e specializuara të OKB-së, paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të natyrës së pafund të normës së moskundërshtimit (Vuçiqi e ka bërë të qartë këtë qëndrim edhe pas takimit me kryediplomatin italian më 21 mars 2023).
*Serbia po refuzon statusin e Kosovës si shtet anëtar i mirëfilltë i CEFTA-s.
*Presidenti Vuçiq i Serbisë është takuar me presidentin e Greqisë (28.03.2023), por nuk e ka bërë të qartë publikisht se Serbia nuk do të prezantojë asnjë qëndrim me efekt kundërshtues mbi/për Kosovën. Kjo paraqet shkelje të parimit të paraparë me nenin 4(1)”.
“Serbia ende nuk ka filluar harmonizimin e politikës së vet të jashtme me zotimet ndaj BE-së dhe CFSP-së, të cilat kanë vërejtur regres në vitin 2022 në krahasim me vitin paraprak, veçanërisht me refuzimin e saj për të imponuar sanksione ndaj Rusisë.
Serbia ende nuk ka tërhequr qëndrimin e vet të mëparshëm që Kosova nuk mund të aplikojë për statusin e anëtarit të BE-së. Ajo ende nuk ka tërhequr letrat zyrtare dërguar pesëshes së BE-së. Kjo po ashtu paraqet shkelje të marrëveshjeve të kaluara, në të cilat Serbia dhe Kosova pajtohen që të mos paraqesin pengesa në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së.
Një element i rëndësishëm i nenit 2 të TBE-së është respektimi i palëve për të drejtat e minoriteteve të tyre përkatëse. Serbia ka ende për të dëshmuar se është e gatshme dhe e hapur për të diskutuar elemente të një politike për mbrojtjen e minoriteteve për të gjitha komunitetet, duke përfshirë shqiptarët në Serbi.
Neni 2 i TBE-së parasheh obligimin e palëve, mes të tjerash, që të respektojnë vlerat e pluralizmit dhe tolerancës. Presidenti Vuçiq është ende duke akuzuar haptas si tradhtarë, të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë (duke përfshirë ministrin për komunitete dhe kthim Nenad Rashiq) që po shërbejnë në pozita publike. Kjo është shenjë që Serbia po synon të mbajë përfaqësimin e serbëve në Kosovë nën kontrollin e Listës Serbe, në kundërshtim me vlerat e pluralizmit dhe tolerancës.
Nën arrestimin për “tradhti”, Serbia ka arrestuar disa serbë nga veriu nën pretendime të bashkëpunimit me institucione të Kosovës. Politika e Beogradit efektivisht kriminalizon procesin e paqes dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, ka argumentuar Kurti.
Ai më tej ka thënë se “Serbia refuzon të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Marrëveshjen e vitit 2015 (gjë që u parapa në shkronjën e Marrëveshjes), letrën e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë, Frederica Mogherini (24.08.2015).
Serbia po ushtron kontroll të plotë mbi Kishën Ortodokse Serbe në lidhje me marrëdhëniet e saj me Republikën e Kosovës. Në këtë kontekst, është e pamundur për Qeverinë e Kosovës që të nisë një dialog me KOS-in në përputhje me Marrëveshjen. Kjo paraqet shkelje të nenit 7(2), në dëm të një qasjeje që do ta lejojë Qeverinë e Kosovës që të zyrtarizojë statusin e Kishës si person juridik, me të drejtën për të ushtruar funksionet sipas Kushtetutës dhe legjislacionit të Kosovës.
“Këmbëngulja e Serbisë që të përfaqësojë Kishën Ortodokse Serbe paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes dhe të vetë natyrës së Kishës si akter i pavarur”.
Kryeministri gjithashtu ka thënë se “Serbia këmbëngulet që të mos lejojë progres në shkëmbimin e misioneve të përhershme në bazë të garancive dhe imuniteteve të parapara për personelin diplomatik”.
“Serbia po refuzon të ulet me Kosovën për të planifikuar derogimin/shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të Brukselit që janë tejkaluar me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit”.
Serbia shkel vazhdimisht vetë Marrëveshjen, sepse udhëheqësit e saj institucionale, duke përfshirë presidentin, deklarojnë se Serbia nuk e ka pranuar Marrëveshjen mbi rrugën drejt normalizimit, porse ka pranuar konceptin dhe është i gatshëm të punojë për zbatimin e marrëveshjes deri në kufij të caktuar (konferenca për shtyp e Vuçiqit, 24.03.2023). Serbia deklaron se palët nuk janë të barabarta, prandaj Vuçiqi nuk pranoi që ta nënshkruajë marrëveshjen. Kjo paraqet shkelje të nenit 1, Aneksit të Zbatimit dhe vetë frymës së Marrëveshjes. Serbia nuk është e gatshme që ta respektojë marrëveshjen në tërësi, por vetëm deri në të ashtuquajturat “vija të kuqe” të saj. Vijat e kuqe publikisht të deklaruara: “Çdo formë të njohjes formale apo joformale të pavarësisë së Kosovës apo lejen për t’u anëtarësuar në OKB [për Kosovën], ne nuk e duam dhe nuk mund ta bisedojmë dhe kjo është pjesë integrale e atij plani”. (Vuçiqi deklaroi se ai e ndau qëndrimin e lartpërmendur me Chollet në takimin e 12 marsit 2023 në Beograd dhe deklaratat e Petkoviqit para takimit të 4 prillit 2023 në Bruksel). Kjo paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes.
Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën pajtim për një marrëveshje mbi propozimin evropian për normalizim raportesh. Ndërsa më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë u dakorduan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë.