Instituti GAP ka publikuar një grafikon ku ka paraqitur “realizimin e investimeve kapitale nga ministritë” në vitin 2022.
Ajo që befason është përqindja abnormale e ulët e Ministrisë së Financave që drejtohet nga Hekuran Murati. Vetëm 2 për qind del se kjo ministri ka realizuar investimet kapitale për vitin e lartpërmendur.
Ndërkohë, përqindje tmerruese të ulët kanë edhe Ministria e Industrisë dhe ajo e Ekonomisë.
Ministria më e suksesshme është ajo për “Komunitete dhe Kthim” që drejtohej gati deri në fund të vitit 2022 nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Prej datës 1 dhjetor, kjo ministri udhëhiqet nga Nenad Rashiq, pas dorëheqjes së të parit.
Ministri Rakiq ishte kritikuar nga zv. kryeministri Besnik Bislimi vetëm pas dorëheqjes së tij, duke thënë se kishte pasur “zero projekte, zero propozime”.
Punë të mirë në këtë drejtim kanë bërë edhe Ministria e Bujqësisë, ajo e Zhvillimit Rajonal, Drejtësisë dhe Mbrojtjes.
Në lidhje me investimet kapitale, Qeveria Kurti është kritikuar vazhdimisht nga opozita e vendit.