Me 3 Prill ka filluar në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sot ka vazhduar procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve ndaj luftëtarëve të UÇK-së.
Ish-luftëtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka folur lidhur me gjykimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Qeriqi u shpreh optimist që ish-krerët do të dalin fitimtar ndaj Gjykatës Speciale.
Ai thotë se krejt ky gjykim i çlirimtareve të vendit është politik.
“Paraqitja e ish-krerëve të UÇK-së në Speciale është shumë e mirë dhe besoj fuqishëm që në përfundim të këtij procesi ata do të shpallen të pafajshëm pasi që nuk ka asnjë bazë e as argument për t’u gjykuar. Jemi të bindur që kjo gjykatë është politike edhe krejt ky gjykim është pasi ish-krerët janë arrestuar politikisht duke u bazuar në mungesë të provave ish-krerët do të dalin fitimtar ndaj asaj gjykate”, u shpreh Qeriqi për Front Online.
Ish-luftëtari Qeriqi tha se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të zgjasë shumë.
Ai tha se Gjykata Speciale është e padrejtë, por e pamundur të ndryshohet.
“Ky është procesi që ka zgjatur më së shumti deri sot dhe do të zgjasë shumë besoj. Ata po bëjnë përpjekje që ta njollosin luftën me manovrime të ndryshme, ne e shohim këtë gjykatë të padrejtë por e kemi të pamundur ta ndryshojmë”, theksoi Qeriqi.
Xhevdet Qeriqi ka folur edhe për qëndrimet e Kurtit dhe Osmanit ndaj gjykimit të ish-krerëve në Hagë.
Qeriqi thotë se arsyeja e mos deklarimit të kryeministrit dhe Osmanit për këtë gjykim, janë përplasjet e mëhershme politike.
“Shumë pak deklarime ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë nga presidentja dhe kryeministri i vendit, arsyeja pse nuk po deklarohen mendoj që ndikojnë përplasjet e mëhershme politike që i kanë pasur kjo nuk është një situatë e mirë pasi ata kanë qenë çlirimtaret e vendit dhe po akuzohen për atë gjë. Qeveria dhe institucionet e vendit duhet me bë më shumë për ish-krerët e UÇK-së”, thotë Qeriqi.
Ish-krerët e UÇK-së në seancën e 3 prillit u përshkruan si krijues të një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. ZPS i bëri përgjegjës ata për vrasjen e 102 personave që u tha se konsideroheshin tradhtarë.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.