Qeni kundrejt njeriut historikisht kanë ndërvepruar në raportin mbrojtës, mirëpo kjo linjë ka ndodhur të devijojë si rrjedhojë e pakujdesisë së palës tjetër, gjersa nganjëherë fajësimi qe i dyanshëm. Pra, dashuria dhe urrejtja në këtë kuptim e drejtim derivon nga relacioni “sulm – mbrojtje”. Kështu që, ne si qenie të vetëdijshme e përgjegjëse për vënien e rregullit në tokë, duhet të sillemi konform këtij roli të cilin e kemi, pavarësisht orvatjeve posthumane dhe antihumane në anën tjetër.
Sahide Brati
Qeni: mes sulmit e mbrojtjes, dashurisë e urrejtjes
Zhurmat gëlltitëse të qenve shpesh më nxjerrin gjumin. Kur afrohem te dritarja shoh që janë duke ngrënë ushqimin që iu kam lënë dhe kjo më mbush me energji të mirë që në mëngjes. Kur jam në konvikt e kam më të lehtë ta bëj këtë të mirë për ta. Ndërkaq në shtëpi, qenushja ime Kika, bëhet xheloze, e shqetësohet kur kafshët e tjera e rrethojnë vendin ku jetojmë.
Më pushtojnë shumë mendime për ta. Si arrijnë ta sigurojnë ushqimin, a janë të uritur? Kur temperaturat janë të ulëta, a kanë ftohtë? A mund të strehohen? Po kur nuk trajtohen në mënyrë njerëzore kush i mbron? Si ia bëjnë? A kanë dhimbje?
Sa herë i shoh qentë endacakë nëpër rrugë më kujtohet filmi vizatimor “101 Dalmatët”. Ku aty kafshët e mençura i vështrojnë nga larg shokët e shoqet e tyre që kanë familje. Ndihen shumë të mërzitura që nuk e kanë atë kujdes e afërsi. Kjo më kujton se një numri të madh iu ndodh edhe në realitet. Më dhimbsen kur i shoh duke u endur në rrugët e Kosovës, kjo tashmë është bërë një pamje e zakonshme. Vendi ynë tash e një kohë të gjatë përballet edhe me sulmet nga ta. Kryetarët e komunave, Qeveria, kanë dështuar në zgjidhjen e këtij problemi. E vetmja gjë që konsiderojnë si rrugëdalje mbetet largimi i tyre në një vend të largët nga njerëzit.
Nuk ka asgjë të keqe të mësohesh të jetosh me ta. Përvoja me Kikën të cilën e kam rritur që e vockël, më bën të pohoj këtë. Të ofrojnë një ndjesi të rrallë. Kur jam e mërzitur ajo e kupton dhe bën përpjekje të shumta për të më lumturuar. Ajo e ndjen kur e do dikush dhe nuk e sulmon atë person, dëshiron të luaj me të. Nëse do të mendojmë për këta qen më shumë, sidomos në dimër, pasi në këtë kohë, e kanë shumë të vështirë sigurimin e ushqimit, nuk do të jenë të rrezikshëm.
Sipas veterinares, Aman Preet, në tekstin e saj për gazetën “Tribune Zëri i popullit“, shkruan se çdo kafshë sulmon vetëm nëse së pari është ngacmuar, dhe jo pa arsye. Më tej, tregohet se për të kuptuar natyrën dhe sjelljen e tyre, mund të arrihet duke i adoptuar ato. Pastaj, shprehet se nëse dikush i ushqen rregullisht endacakët, ata bëhen besnikë ndaj atij individi.
Ne duhet ta pranojmë që edhe ata janë pjesë e tokës dhe ta ndajmë bashkë me ta. Ideja për t’i larguar nga ne nuk është e mirë. Kjo tregohet edhe në studimin nga Shoqëria humane e Shteteve të Bashkuara ku shkruhet se në një vend të panjohur, ato janë të çorientuara dhe nuk dinë ku të gjejnë strehim, ushqim ose ujë. Mund të jenë në territorin e një kafshe tjetër dhe mund të përndiqen ose të sulmohen. Po ashtu, nuk dinë ku të shkojnë për të shpëtuar nga grabitqarët. Gjithashtu, mund të kërkojnë me dëshpërim foshnjat prej të cilave tani janë ndarë.
Unë mund ta kuptoj frikën, që kanë njerëzit nga qentë e braktisur, mosdashurinë, por nuk mund ta kuptoj dëshirën e zhdukjes së tyre nga ky Planet. Dihet që qentë nuk flasin gjuhën e njerëzve siç ndodh te filmi vizatimor që e përmenda më lart. Ama, ndjejnë emocione njësoj si ne. Është e papranueshme se si vriten për eksperimente në mjekësi, e fusha të tjera. Ajo që më vret është se torturohen edhe për argëtim. Ne duhet të sillemi me mirësi me ta.
Në Kosovë duhet të ketë më shumë kërkesa ose përpjekje për ndërgjegjësim në forma të ndryshme, që të krijohet dhembshuri. Do të ishte mirë të merrnin trajtime shëndetësore, të vendoseshin më shumë pika ushqimore për ta, kudo në vend. Strehimoret të formoheshin ku lëvizin njerëzit, të punonin vullnetarë e veterinarë. Pastaj, në këtë shtëpi të tyre, t’i dërgonin mbetjet ushqimore të restoranteve. Më tej, të realizoheshin emisione, të mbaheshin ligjërata informuese në shkolla, të shpërndaheshin broshura. E domosdoshme është të edukohen fëmijët, që ata të mbjellin dashuri e jo urrejtje. Sa gjë e mirë, do të ishte të kishim një njësi policore që do të merrej vetëm me kafshët dhe që do të dënonte secilin akt të keq. Mizoria ndaj kafshëve është e ndaluar me ligj, megjithatë, rrallë zbatohet. Qeveria duhet të merret me këtë.
Ky problem nuk mund të zgjidhet nëse ne nuk merremi me të seriozisht. Holanda është përkushtuar në trajtimin e kësaj çështjeje dhe është bërë zyrtarisht shteti i parë pa qen endacakë! Përveç miratimeve të ligjeve dhe masave të rrepta ndaj atyre që abuzojnë me ta, u zhvilluan disa fushata. Këto rezultuan të suksesshme dhe 90% e popullsisë adoptuan qentë e braktisur si kafshë shtëpiake. Këta qen, tanimë, pranohen edhe në dyqane, institucione, restorante. Po të ndiqnim modelin e këtij shteti, vizitat në spital nga kafshimet prej tyre do të merrnin fund.
Asnjëherë nuk më ka ndodhur që t‘i ushqej dhe të më sulmojnë. Vetëm i kam lënë në qetësinë e tyre, ngase kam lexuar që nuk iu pëlqen t’i prekësh ato që iu ke servuar për t’i ngrënë, ngase mund të mendojnë që po ia largon. Po të kishte secili një qen në shtëpi, çdo gjë do të ndryshonte. Këtë nuk e kam besuar asnjëherë, derisa një qenushe e bukur u bë pjesë e imja. Kam krijuar pafund kujtime, e në kulmin e lumturisë me të, më shkon mendja kur ajo do të largohet, si do të ia bëj pa të? Kikën e kanë rrëmbyer, por ajo e ka gjetur gjithmonë rrugën për të ardhur në shtëpi, pavarësisht largësisë. A nuk tregon kjo një lidhje të fuqishme mes një qeni dhe një njeriu?
Qeni kundrejt njeriut historikisht kanë ndërvepruar në raportin mbrojtës, mirëpo kjo linjë ka ndodhur të devijojë si rrjedhojë e pakujdesisë së palës tjetër, gjersa nganjëherë fajësimi qe i dyanshëm. Pra, dashuria dhe urrejtja në këtë kuptim e drejtim derivon nga relacioni “sulm – mbrojtje”. Kështu që, ne si qenie të vetëdijshme e përgjegjëse për vënien e rregullit në tokë, duhet të sillemi konform këtij roli të cilin e kemi, pavarësisht orvatjeve posthumane dhe antihumane në anën tjetër.