Partitë politike tashmë hyjnë në javën e tretë të fushatës zgjedhore, dhe të njëjtat po vazhdojnë të shkelin kodin e mirësjelljes, për cka edhe po gjobiten nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
PZAP-ja së fundmi ka publikuar 13 vendime të marra më 25 janar.
LVV ka dorëzuar ankesë në PZAP kundër LDK-së e cila është dënuar me 4 mijë euro, për shkak të vendosjes së posterave të kandidatëve për deputetë në hapësirat/rrugët publike në Suharekë.
Për të njëjtën arsye, LVV ka dorëzuar ankesë edhe ndaj PDK-së e cila është dënuar me 3 mijë euro.
PDK është dënuar edhe me 3 mijë euro të tjera, shkak i ankesës së LVV-së dorëzuar në PZAP, për shkak të një postimi në Facebook të kandidatit Faruk Bojaxhi e ku ka përdorur objekte fetare.
Lëvizja Vetëvendosje është ankuar edhe për subjektin politik Partija Kosovskih Srba (PKS), e cila është dënuar me gjobë prej 3 mijë e 500 euro, për shkak të vendosjes së posterave në hapësirat/rrugët publike në veri të Mitrovicës.
Ankesat që nuk janë miratuar ishin nga LVV ndaj Sprska Demokratija, Partisë Demokratike të Kosovës në dy raste si dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës gjithashtu në dy raste.
PZAP ka refuzuar edhe një ankesë të bërë nga PDK ndaj LVV-së.
Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ka nisur më 11 janar.