Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë euro tjera për sulmin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Prokurorisë së Shtetit, gjatë tubimit zgjedhor në Gjilan.
Kurti kishte thënë se edhe Prokuroria “ka me i humb zgjedhjet” më 9 shkurt.
“Ju po e shihni që fatkeqësisht Prokuroria e shtetit është shndërruar në një parti politike opozitare, por edhe ata kanë me i humb zgjedhjet më 9 shkurt, sikur partitë opozitare ashtu edhe prokuroria e shtetit që u bë si parti opozitare ka me i humb zgjedhjet me 9 shkurt. Por, a e dini çka, pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputet në kuvend qysh mundet me i pas naj parti opozitare, nëse kanë fat me kalu pragun partitë opozitare.
E meqenëse partia me e re politike, Prokuroria e Shtetit nuk do të ketë deputetë në legjislaturën e nëntë, atëherë le të shkojë në shtëpi. Më 10 shkurt s’ka pse del në punë se s’janë tu ba punë. Le të rrinë në shpi. E ne do ta kemi gjyqësorin e ri,..e jo më kësi prokurorësh që Radoiçiqit ia heqin urdhërarrestin e e ndjekin Rozeta Hajdarin”, kishte deklaruar Kurti në Gjilan.
Në përgjigje për këtë ankesë, VV ka thënë se deklarimet e Kurtit janë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregullativën zgjedhore si dhe me frymën e një fushate elektorale.
PZAP e ka gjetur si të bazuar këtë ankesë, duke thënë se në këtë deklarim konsiderohet se është përdorë gjuhë nxitëse dhe urrejtëse.