Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se kërcënimi i një lufte bërthamore është duke u rritur, mirëpo ka insistuar se Rusia “nuk është çmendur” dhe nuk do ta përdorë e para armën bërthamore.
Sipas Putinit, Rusia do ta përdorë armën e shkatërrimit në masë vetëm si kundërpërgjigje ndaj një sulmi.
Duke folur në takimin e Këshillit rus për të Drejta të Njeriut, ai ka thënë se lufta në Ukrainë mund të jetë “proces i gjatë”.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se Putin fillimisht ka planifikuar fitore të shpejtë në konfliktin e nisur në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Kapaciteti i Rusisë për të përdorur armë bërthamore ka shqetësuar shumë liderë botërorë prej nisjes së luftës.
“Një kërcënim i tillë po rritet, është gabim nëse e fshehim”, ka paralajmëruar Putin, derisa ka folur për luftën përmes video-lidhjes.