Pushimet të cilat kishte ardhur t’i kalonte në vendlindje për festat e fundvitit, dolën të jenë tragjike për Visart Cengun. 31-vjeçari nga Kukësi i Shqipërisë, por që tash e një kohë jetonte dhe vepronte në Francë, mbeti i vrarë orët e para të mëngjesit të së martës pas të shtënave me armë zjarri në dalje të lokalit ‘Kobra City’ në Prizren. Keq e pësoi edhe miku i tij, 27-vjeçar, Rufgen Shehu, i cili mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetë. E armën dyshohet se e shkrepi pikërisht pronari i lokalit, personazhi i njohur kontrovers, Dibran Hoxhaj, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se motiv i këtij konfliktit dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh që lokali kishte lëshuar për dy viktimat. Sipas informacioneve të para, sherri nisi pasi të rinjtë nga Kukësi nuk u pajtuan për ta paguar këtë shumë të të hollave.
Këtë e ka konfirmuar edhe prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Nazan Shero, e cila i tha Gazetës Sinjali dje se shuma prej 400 eurosh është përmendur edhe nga dëshmitarët si një motiv i mundshëm për vrasjen.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy viktimat fillimisht patën një debat me stafin e lokalit dhe klientët e tjerë dhe aty nisën të gjuajnë me shishe e të thyejnë tavolinat, duke tensionuar situatën në masë të madhe.
Nga aty, ata janë larguar nga lokali, por nuk arritën të iknin që të dy gjallë. Siç mëson Sinjali, pronari i lokalit Dibran Hoxhaj i njohur si Kobra dyshohet se ka gjuajtur me armë pas sherrit që ka ndodhur brenda.
Përveç Hoxhajt, Policia ka arrestuar edhe disa persona të tjerë nën dyshimin se mund të jenë të përfshirë në rast.
Po ashtu Sinjali mëson se po kryhen bastisje në disa lokacione për sigurimin e provave që do të zbardhin në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti.
Për rastin kanë nisur hetimet edhe nga Policia e Shtetit, të cilët dolën me një njoftim në lidhje me vrasjen.
“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës. Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar. Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit. Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton Policia e Shtetit.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se Policia është duke u marrë me rastin.
“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”.
E gjatë ditës së djeshme Sinjali ka publikuar emrat e edhe pesë personave tjerë të cilët kanë përfunduar në ndalim policor.
Lidhur me ngjarjen tragjike ka folur edhe axha i viktimës, Besim Cengu.
Ai tha se nipi i tij ishte qëlluar në veturë nga prapa.
“Nipi im është gjuajtur brenda veturës nga pas, sepse edhe predha ka qenë në shpinë dhe e ka kapur mushkërinë dhe një pjesë të zemrës dhe djali ka vdekur në vend”, tha Cengu në një prononcim për Klan Kosova.
Por, kush është Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”
Emri i tij nuk është krejtësisht i panjohur për publikun. Dibran Hoxhaj i njohur edhe si “Kobra”, ka një bagazh të madh prej problematiku.
E kaluara e tij kriminale tashmë është e njohur edhe për organet e rendit.
Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë vetëm disa nga veprat penale, për të cilat ai është dënuar plot 16 herë.
Prej tyre, Hoxhaj është gjobitur në 12 aktgjykime, kurse në katër të tjera është dënuar me kusht.
Në qershor të 2009-ës, ai ishte dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Për të njëjtën vepër penale, ishte shpallur fajtor dy herë edhe në vitin 2012.
Për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, pronari i “Cobra City” është dënuar në gjashtë herë brenda tre vjetëve.
Ndërsa, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ky personazh ishte ndëshkuar dy herë. Njëherë në vitin 2012 e në një rast tjetër edhe në vitin 2021.
E, për shkak të një rrahje, në vitin 2007 ishte burgosur gjashtë muaj.
Lokali i tij “Kobra City” që ndodhet në Prizren, ka pasur raste kur është bastisur nga Policia e Inspektorati Komunal
Njëjtë ndodhi edhe mëngjesin e së martës, teksa policia arrestoi atë nën dyshimin se ka vrarë një 31-vjeçar nga Kukësi dhe ka plagosur një tjetër.
Faktin se ka shumë vepra penale, “Kobra” e kishte përmendur në emisione të ndryshme televizive, duke thënë se ka 198 vepra penale, por që të gjitha sipas tij kanë lindur pasi kishte hapur lokalin e tij “Cobra City”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.