Punëtori i një biznesi në rrugën “Vicianum” në Prishtinë është denoncuar dje në Policinë e Kosovës pasi ka marrë një shumë të parave nga lokali ku punon. Të dyshuarin e ka raportuar shefi i tij, i cili ka deklaruar se punëtori ka marrë pazarin ditor dhe është larguar nga aty.
Burimet e Sinjalit kanë dhënë detaje nga denoncimi i pronarit të lokalit “Tasty” dhe çfarë ka deklaruar i dyshuari kur u kontaktua.
Sipas këtyre burimeve, punëtori i këtij lokali ka marrë pazarin ditor në vlerë të 350 eurove si “kompensim” pasi shefi, sipas tij nuk ia kishte bërë pagesën e pagës së tij.
Policia ka kontaktuar të dyshuarin përmes telefonit, i cili ka thënë se do të paraqitet në stacion policor për të dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Sinjali mëson se ndaj tij, prokurori ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “vetëgjyqësi”.