Besnik Bislimi është Zëvendëskryeministër i Kosovës. Ai është njeriu që kryeministri Albin Kurti ia ka dhënë besimin që të udhëheq një proces të rëndësishëm, siç është dialogu me Serbinë.
Por, veshja me pushtet duket se ka ndikuar shumë negativisht në personalitetin e profesorit të dikurshëm të AUK-ut. Këtë e kishte pranuar edhe vetë një ditë, shkruan Demokracia.com.
Pushteti përveç që e ka lënë shpesh pa gjumë, ia ka ndryshuar edhe personalitetin, duke e bërë tepër arrogant.
Madje, arrogancën e nërvozen ai sot shfaqi edhe para gazetarëve.
Bislimi u pa i tensionuar, por mbase në disponimin e tij ka ndikuar takimi i djeshëm me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Derisa u tregoi gazetarëve se nuk ka marrëveshje për targat në Bruksel, ai i dha përgjigjet duke u konfrontuar me fjalë me gazetarët dhe duke kërkuar të jenë seriozë.
“Nuk ka asnjë marrëveshje. Nuk ka propozim të BE-së”, tha ai, duke shtuar se kanë diskutuar mbi elemente për dalje nga kriza, por se nuk ka dakordim.
Bislimi u pyet nga gazetarët edhe për atë se çka do të ndodhë më tej më këtë situatë, por ai tha se nuk mund ta dijë meqë nuk është parashikues.
“Çka do të ndodhë nga e hëna, zotëri Bislimi?”, ishte pyetja që iu drejtua nga gazetarët.
“Vjen e marta pastaj. A e di ti çka ka me ndodh. Nuk jam Nostradamus, jam zëvendëskryeministër. Nuk e di çka do të ndodhë të hënën se ne jemi në bisedime”, tha Bislimi, duke gjestikuluar derisa fliste me mediat.
Bislimi dje ka qëndruar në Bruksel në një takim me Lajçakun, i cili ishte planifikuar të takonte edhe kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.
Bislimi me deklaratat e tij të çuditshme shpesh ngjallë reagime e të qeshura pa fund.
Të gjithëve u kujtohet deklarata e tij para zgjedhjeve kur tha se mbështetja për Vetëvendosjen ishte rritur frikshëm, saqë sipas tij ai nuk kishte fjetur një javë duke menduar si t’u përgjigjen pritshmërive të qytetarëve.
Është epike edhe deklarata e Bislimit se nga dialogu po i ndryshon personaliteti e po i thinjen flokët nga presioni.
“Në qoftë se është rëndë, kjo nuk duhet të përkthehet në gatishmëri me lëshu pe, rëndë është që ke presion më të madh, të thinjët flokët pak më shpejt, duhet me shku pak në qetësim mas dialogut. Nuk ka bisedë në Bruksel, që mua nuk më shkakton tension sesa një javë punë në Kosovë, sepse duhet të kujdesemi në maksimum edhe për presjet, edhe pikat. Kam një frikë se ka filluar të ndryshojë personaliteti, sepse kur jam me miq kujdesem edhe për pikat e presjet, ata më thonë nuk je me Lajçakun, je me neve”, tha Bislimi në RTK, duke u munduar të bëhej “atraktiv”.
Një deklaratë perlë e Besnik Bislimit ka qenë edhe ajo kur nipi i tij Gëzim Tosuni u punësua në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Ai i kishte thënë ministres Albulena Haxhiu që nuk e ka takuar nipin në 50 vitet e fundit.
“E pyeta për kureshtje, tha se ndoshta në 50 vjetet e fundit, ndoshta e kam takuar njëherë, Nuk e mbaj në mend se çfarë e ka”, kishte thënë Haxhiu.