Vendimi i Presidentit Donald Trump për t’i tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk duket të ishte i papritur as për vetë organizatën dhe as Bashkimin Evropian. Tashmë ekspertët po përpiqen të parashikojnë se çfarë do të thotë kjo për programet globale të shëndetësisë që u vijnë në ndihmë shumë vendeve në zhvillim.
Një ditë pas betimit dhe rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump filloi sërish procesin e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kjo është hera e dytë që ai e bën kët në më pak se pesë vjet.
Shumë shkencëtarë druhen se një gjë e tillë mund të dëmtojë përparimin e shënuar në luftën ndaj sëmundjeve si SIDA, malaria dhe tuberkulozi, për të cilat është punuar për dekada të tëra.
Po kështu ekziston shqetësimi se tërheqja nga OBSH-ja mund të dobësojë mbrojtjen e botës kundër viruseve të reja që mund të shkaktojnë pandemi.
Kur Joe Biden mori detyrën si president, ai i bllokoi menjëherë përpjekjen e zotit Trump për të nxjerrë SHBA-në nga organizata.
I pyetur mbi arsyet e këtij vendimi, teksa nënshkruante urdhrin ekzekutiv, Presidenti Trump tha se OBSH-ja ka detyruar SHBA-në të përballojë një barrë të padrejtë financiare:
“Kinezët paguanin 39 milionë dollarë, ne paguanim 500 milionë. Më duket pak e padrejtë. Kur unë u largova, ata më ofruan të kthehesha për 39 milionë. Pra në teori mund të paguhet më pak se kaq. Dhe kur Biden u rikthye, u rikthye për 500 milionë. Ai e dinte që mund të ishte kthyer për 39 milionë dollarë, pasi ata na donin ne me patjetër”.
I pyetur nëse e vlerësonte si të rëndësishëm rolin e OBSH-së si koordinator i përgjigjes globale ndaj emergjencave shëndetësore, zoti Trump u përgjigj se po, por ai shtoi se kjo gjë nuk mund të ndodhë duke rrjepur një vend si SHBA-të.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Presidentit Trump, zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tarik Jashareviq, bëri thirrje për negociata.
“Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara do ta rishqyrtojnë vendimin dhe presim me padurim angazhimin në dialog konstruktiv për të ruajtur partneritetin me OBSH-në”, tha ai.