Kur ekipi i futbollit “Dukagjini” në Klinë i nisi përgatitjet për sezonin e ri, te fusha shkoi një lojtar të cilin nuk e kishin parë më parë.
18-vjeçari Demba Jallow, i cili atëherë ishte vetëm 17 vjeç, kishte ardhur nga Gambia e Afrikës në qytetin e Klinës.
Aty, siç tha menaxhmenti, e solli Ebrima Jatta, i cili është lojtar i “Dukagjinit” e që po ashtu vjen nga i njëjti vend, raporton KIKS Kosova.
Sipas tij, ky i fundit për Dembën kishte thënë se është vëllai i tij.
Për problemet me dokumente ishte i vetëdijshëm, megjithatë, për “Dukagjinin” e pati një kërkesë.
Sipas drejtorit sportiv Korab Desku, djaloshin afrikan nuk e kishin ftuar e as nuk i kishin ofruar paraprakisht kontratë për t’iu bashkuar “Dukagjinit”.
Pavarësisht kësaj, atij thotë se ia kanë lejuar stërvitjet kohë pas kohe me gjeneratat e reja.
Ndërkaq, sipas drejtorit Desku, nuk e kanë në plan që 18-vjeçarin ta bëjnë pjesë të ekipit.
Gjithashtu, nga menaxhmenti kanë bërë të ditur se Demba i ka lajmëruar që ka një ofertë për çështje provash nga Moldavia dhe se nga ana e “Dukagjinit” i kanë thënë se është i lirë të shkojë ku dëshiron. /Klankosova.tv