Partia Socialdemokrate është shprehur e gatshme që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që ato mbahen.
“Sigurisht që jemi të gatshëm. Kurdo që zgjedhjet të mbahen, PSD-ja do të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë zëdhënësja e partisë, Natyra Kuçi, të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Ajo ka thënë se nuk është me rëndësi se kush do të vinte në pushtet, por me rëndësi “që Albin Kurti të largohet nga pushteti”.
Partia Socialdemokrate u ristrukturua vite më parë. Figurat kyçe të kësaj partie kanë qenë pjesë e strukturave të Vetëvendosjes së Kurtit, raporton Koha.net.
Kjo parti nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Herën e fundit që kjo parti garoi në zgjedhje parlamentare ishte viti 2019, kur u bë bashkë me AAK-në në koalicionin “100 për qind Kosovë”. Asnjë nga përfaqësuesit e kësaj partie nuk mori vota për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës. AAK-ja siguroi 13 ulëse.