Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka miratuar sot propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi që nga data 1 mars e këtij viti.
Ky vendim ka nxitur reagime të shumta në opinion, duke marrë parasysh edhe kundërshtimet që kanë qenë kur ZRrE-ja fillimisht kishte publikuar propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate, në një prononcim për lajmi.net ka folur edhe për mundësinë e një proteste të dytë, pas asaj që kjo parti ka organizuar javë më parë.
Ai ka thënë se aktualisht janë duke diskutuar për hapat e mëtutjeshëm.
“Në jemi duke diskutuar. Fillimisht, çka po dojmë me bo është që të ftojmë të gjitha partitë parlamentare dhe jo-parlamentare, përfshirë edhe shoqërinë civile në një takim të premten dhe aty bashkarisht të vendosim për hapat e ardhshëm”, ka deklaruar Nushi.
Kujtojmë se në protestën e fundit të organizuar nga PSD kundër shtrenjtimit të rrymës, pati edhe incidente mes protestuesve dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Si pasojë e incidenteve të shkaktuara, Policia e Kosovës në ditët në vijim kishte arrestuar një aktivist dhe kreun e PSD-së, Dardan Molliqajn. /Lajmi.net/