Punëtorët e kompanisë “NewCo Ferronikeli” kanë protestuar këtë të mërkurë para pasi për 5 muaj është ndërprerë prodhimi, si pasojë e krizës së zgjatur ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Punëtorët po kërkojnë që të kthehen në punë, e në rast se nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre, atëherë ata kanë paralajmëruar veprime radikale.
“Mos na diskrimino, punëtorët nuk janë privatizuar, punëtorët nuk janë të privatizuar, Kosovës po i shtohen edhe 1 mijë raste sociale, kryeministër edhe punëtorët e Feronikelit janë Kosovë”, ishin disa nga thirrjet e punëtorëve të Feronikelit.
Punëtorët kanë shkuar para hyrjes së Kuvendit, duke tentuar të futen brenda ndërtesës, me ç’rast janë ndaluar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në dalje të ndërtesës, kanë folur disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ata kanë përkrahur protestën e tyre, duke thënë se “Ferronikeli” nuk duhet të jetë e mbyllur.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka quajtur situatë të pabarazisë gjendjen e punëtorëve të kësaj kompanie.
“Ndodhi një situatë e pabarazisë njerëzorë, juridike e qytetare. U ndanë punëtorët e “Ferronikelit” dhe gjiganti metalurgjik. Kjo qeveri me këto politika ekonomike dhe sociale është duke bërë ndarje të mëdha. Sinqerisht e kam ngritur këtë shqetësim edhe me ministrin e Financave por nuk ka vullnet me gjet zgjidhje. “Ferronikeli” nuk duhet të harrohet se është në qendër të Kosovës. Asnjëherë nuk ka qenë e lokalizuar, prandaj gabim e ka qeveria Kurti. Me kulturën më të madhe protestoni dhe mbroni të drejtat e juaja”, tha Shala.
Edhe shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, e ka përkrahur protestën e punëtorëve të kësaj kompanie.
“Industria dhe metalurgjia është me rëndësi jetike të Kosovës ne e përkrahim shqetësimin e juaj. Kompania është jashtëzakonisht e rëndësishme. Karakteri rajonal nuk duhet me qene ne ndikim. Na jemi në opozitë dhe nuk e kem pushtetin krejt çka mundemi me thënë është se “Feronikeli” është me rendësi jetike. E keni mirëkuptimin tonë edhe si kompani edhe si familje”, tha Gashi.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se situatën e kompanisë “Feronikeli” do ta diskutojë në Kuvend.
“Urdhëroni detyroni të veprojnë por vetëm me rrugë ligjore. Unë kam me ngrit në kuvend këtë çështje. Kërkoni të drejtat e juaja që ju takojnë”, ka thënë Berisha.