“Budallallëku jep kosto” dhe Edi Rama është përballur me zgjedhjet e tij në kabinetin qeveritar falë mërisë që kanë ngjallur në publik deklaratat e pamenduara të ministreve të tij pa përvojë politike. Në protestën e kësaj të shtune ranë dukshëm në sy disa parrulla që mbanin në duar ata që marshuan nga sheshi Skënderbej në drejtim të kryeministrisë. Në të parën shkruhej: “Sa thasë miell duhen për të mos qenë i varfër”. Slogani shoqërohej me foton e ministres së financave Delinda Ibrahimi. Gjithçka lidhej me një deklaratë të saj dy ditë më parë në emisionin “Opinion”.
E kapur në befasi nga gazetari Blendi Fevziu ajo u përgjigj se me 130-140 euro në muaj dikush nuk quhet i varfër: “Ne kemi një përllogaritje të familjes mesatare. Nuk kemi një përllogaritje sa duhet të jenë të ardhurat e një personi. Patjetër kjo shumëzohet me familjen mesatare që është 3.5 persona. “Nëse pyetja referohet sa duhet të gjenerojë një individ për të mos u konsideruar i varfër, kjo shifër është diku tek 130-140 euro për person”, u përgjigj ajo.
Me kot një ditë më pas ministrja u rek ta korigjonte gafën. “Deklarata është një pyetje që mu bë për një tregues statistikor për shkak të detyrave që unë kam mbajtur në të kaluarën. Ka teknikalite në statistika. Ne mund të flasim shumë gjatë për këtë tregues, por nuk është sot momenti për mënyrën se si INSTAT kalkulon shifrat” u mundua të justifikohej ajo. Dëmi ishte bërë. Shumë njerëz që kishin përafërsisht këtë sasi mujore të ardhuarash bënë deklarata në rrjet se ekonomikisht jetesa e tyre ishte e pamundur.