Qeveria ka dalë me njoftim, disa orë pas takimit me pesë top diplomatët që qëndruan sot në zyrë të Kurtit. Në takimin që zgjati më shumë se dy orë, Qeveria thotë se u fol për propozimin evropian, raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftim thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi u takua sot me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Kjo është hera e dytë që kryeministri Kurti priti në takim këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plötner dhe Bonne, pas takimit të parë më 9 shtator 2022”, thuhet në njofitmin e Kryeministrisë.
Më tej në njoftim thuhet se kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Talò dhe emisari amerikan, Escobar.
Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.
“U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel”, thuhet në komunikatën për media.
SIpas njoftimit, Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike.
Më tej në komunikatë thuhet se Kurti i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën.
“I falënderoi të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit”, thuhet në njoftim.
Pas këtij takimi, emisarët udhëtuan për në kryeqytetin e fqinjit verior të Republikës së Kosovës.