Ish komandanti i Zones Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, ka postuar në rrjetin social Facebook, nga libri i tij “Në Evropë apo në Europë” për simbolin e rezistences shqiptare, Adem Demaçi,
Prometheu i Kosovës, Adem Demaçi
-Demaçi, disidenti i çështjes shqiptare
-Demaçi, njeriu që përbuzte frikën
-Ligjërimi i hapur kombëtar
-Demaçi ishte prijës, por pa shpurë, pa lakejë, pa truproje. Shpura e tij ishte populli
-Demonstratatat 1968: Ndryshimi i rendit shoqëror
Njëri nga heronjtë, nga maratonistët më të mëdhenj të kauzës shqiptare ishte dhe mbetet Adem Demaçi. Biografia e tij, trajektorja e tij stabile politike ishte fat për popullin shqiptar.
Po të mos kishte qenë ai, personi që hapi kauzën shqiptare në një nivel dhe sistem të ri, atë jugosllav socialist që ishte shumë më i avancuar në krahasim me atë paraprak që identifikohej me pandurin, xhandarin serb, çështja shqiptare nuk do të kishte atë hov që, jo vetëm e ngufati Jugosllavinë, por u bë shkas për shtrirje të NATO-s dhe të UE- së në Evropën Juglindore.
Adem Demaçi, ky kalorës i kauzës shqiptare i kishte të gjitha tiparet e Prometheut i cili zemëroi zotat e Olimpit duke ua dhuruar vdekatarëve zjarrin e vjedhur nga Olimpi. Zemërimi Zeusit paskësh qenë i papërmbajtur: jep urdhër që ta gozhdojnë në faqe të një shkëmbi, i eksponuar oreksit të pangopshëm të grabitqarëve.
Zotat e hidhëruar kërkojnë nga ai të pendohet dhe t’ua marrë zjarrin njerëzve, por ai vazhdon t’i durojë dhembjet dhe nuk pendohet. Kështu thotë miti.
Mirëpo, mitin shpesh e hasim në jetën e përditshme. Populli shqiptar e nxori nga gjiri i vet Prometheun e gjallë, konkret, prej mishit dhe gjakut, shqiptarin e papërkulur, bacën Adem, i cili paguante vazhdimisht tagrin për të gjithë shqiptarët e përgjumur.
Adem Demaçi ka merita të veçanta për ruajtjen e zjarrit kombëtar, vetëdijes për veprim të vazhdueshëm në procesin e përpjekjeve për çlirim.. Së pari, ai prej fillimit të angazhimit të mirëfilltë politik, jashtë institucioneve të sistemit, kishte orientime properendimore që ishte edhe njëra nga premisat kryesore të politikës shqiptare.
Së dyti ai zbatoi metodën e transparencës në përkufizimin dhe realizimin e idealeve të tija politike. Kritika e tij e hapur e sistemit të rrejshëm socialist, të njëmendësisë, kërkesat e tija për bashkim kombëtar e nxori nga funksioni gjithë atë aparaturë burokratike-hetuese që ushqehej me fatkeqësinë shqiptare. Ata s’kishin ç’të hetojnë ngaqë Baca Adem fliste hapur dhe shkoqur.
Ai nuk ishte njeri që do të duronte dhunën një kohë dhe pastaj do të dorëzohej, por ishte ai që dha shtysën e parë ortekut shqiptar që do ta shembë ngrehinën jugosllave që u themelua dhe mbahej nga frika që përhapte regjimi komunist jugosllav.
Kontrolli racional i frikës që filloi ta zbatojë Baca i çarmatosi dhunuesit jugosllavë, duke i trimëruar njëkohësisht edhe të burgosurit e tjerë shqiptarë që ta përbuzin frikën.
Të gjithë këta veprimtarë që e krijonin brezin rezistues e dinin fare mirë domethënien e fjalës së urtë popullore ”Frika i ruan vreshtat” dhe arrinin që ta mbisundojnë këtë instinkt primordial të njeriut, sidomos atë jo objektive që shumë shpejtë, në kushte të represionit të vazhdueshëm shndërrohet në paranojë.
Adem Demaçi dinte këtë metodë të deformimit psikologjik, prandaj bënte çmos që të mundej, të kontrollohej frika. Këto përvoja shumë shpejt hynë si relike të çmueshme në sirtarin kombëtar ku ruhen shembujt e përvojës kombëtare.
Në harkun e 45 v.(1945-1990) kjo aparaturë ndëshkuese jugosllave shqiptoi 666 shekuj dënim për bartësit e çështjes shqiptare. Numri 666 është simbol i krye- djallit, i Satanasë, kështu që për këtë periudhë të”bashkëjetesës” së shqiptarëve me serbët lirisht mund ta quajmë Epoka e Satanasë.
Nuk mund të mos theksohet se ai ishte dhe mbeti veprimtar i rrallë që nuk i vardiset asnjë autoriteti dhe që nuk e kursen askë nga kritika, pa marrë parasysh kontekstin. Të gjitha ofertat që të shndërrohet në një figurë kosmopolite, të variantit të Mendellës, në kohën kur populli i tij dhunohej në trajta çnjerzore, ai i refuzoi dhe vazhdoi rrugën që e kishte zgjedhur.
Së treti Adem Demaçi nuk ishte politikan që do ta parapëlqente një zotëri- sundues në vend të tjetrit.
Ai donte që populli i tij të ishte i lirë prej zotërinjve.
Së katëri ai kishte kredo të qartë morale dhe politike. Ai hapur thoshte se liria nuk falet. Prandaj themelonte struktura politike që do të ishin bartëse të çlirimit të një populli.
Së pesti, ai ishte politikan që jetonte me pasojat e politikës së tij. Ai nuk bënte politikë këshillash të pa obligueshme për të tjerët, por politikën e kishte si modus vivendi, si mënyrë e të jetuarit, si diçka që i jepte kuptim jetës së tij edhe pse vitet më të mira të jetës së tij i pat kaluar në burg.
Së gjashti, ata që e njohin mirë Bacën Adem thonë se ai nuk kishte ndjenjën e frikës. Natyrisht, ata që vazhdimisht i kanë shërbyer idealit të tyrë vetvetiu shndërrohen në njerëz të urtë. Të urtit dallojnë prej të tjerëve falë aftësisë së tyre për t’i kontrolluar ndjenjat. Por, edhe situatat.
Së shtati, Adem Demaçi gjithmonë ka qenë politikan entuziast. Kur defetizmi dhe depresioni përhapej si murtaja, Baca Adem me ligjërimin e tij entuziast, me melaqet e tija e rikthente disponimin një populli të tërë.
Së teti, edhe në momentet më të vështira, kur krimet serbe ishin makabre, ai nuk e humbte orientimin human të politikës së tij: popullin serb e quante “vëlla” që dëshmonte pjekurinë e tij intelektuale, politike dhe morale. Ai e dallonte qartë egjrën prej grurit, fajin individual prej atij kolektiv.
Së nënti ai gjithkund fliste njësoj. Ligjërimi i tij politik ishte koherent jo për shkak të aftësive të tija retorike, por për shkak se çështja shqiptare është ngushtë e lidhur me vlerën e lirisë.
Ai nuk kishte disa të vërteta, por vetëm një, qoftë kur e merrnin në pyetje në qelitë e ftohta të burgjeve jugosllave, qoftë në pranime glamuroze, qoftë në konferenca ndërkombëtare. Ai kërkonte lirinë e mohuar me dhunë për popullin e tij.
Së dhjeti ai është tribun, por pa shpurë, pa lakej, pa truproje. Shpura e tij ishte populli..
Prijësit e kësaj natyre nuk janë servilë, as lakej. Ata nuk durojnë adhurimin, nuk janë sqimatarë dhe indinjohen nga vaniteti i qarqeve të ndryshme që kushedi se si e kanë pushtuar hapësirën publike.
Promotori i lëvizjes së gjithëmbarshme politike shqiptare të rezistencës kundër regjimit dhe idesë jugosllave, kundër margjinalizimit të shqiptarëve, kundër okupimit të tokave të tyre, personi që rrezatonte me optimizëm dhe shpresë,
Adem Demaçi, ishte fenomeni i pazbërthyeshëm për ata që kishin ide të errëta ndaj shqiptarëve dhe, nga ana tjetër shumë i kuptueshëm për breza të tëra të rinisë shqiptare që e ndoqën rrugën e tij deri në çlirim të Kosovës.
Shpirti dinamik, idealet e qarta, veprimtaria e vazhdueshme e Adem Demaçit pat ndikim të drejtpërdrejt në rininë shqiptare të cilët, pa hamendje vazhduan rrugën e tij. Intonacionin kombëtar atyre ua dha shëmbëlltyra dhe filozofia politike e Adem Demaçit.
Nga këto energji të pashtershme, dishepujt e Adem Demaçit i organizuan demonstratat e viti 1968 duke dëshmuar se shqiptarët prapë dërguan mesazhin se ata janë të rikuperuar dhe se do të vazhdojnë rrugën e parardhësve të tyre.
Demonstratat e v. 1968 sollën shumë risi: ndryshimin e karakterit të rendit shoqëror duke e bërë Jugosllavinë shtet konfederal, në fakt fedreratë komunash, ku edhe oficerët e APJ-së merrnin rrogat nga komuna.
Demostratat ‘68 sollën, mes tjerash edhe një institucion të lartë arsimor, Universitetin. Universiteti i Prishtinës u bë qendër ku takoheshin shqiptarët nga të gjitha vendet e ish -Jugosllavisë, ata njoftoheshin, shoqëroheshin dhe edukoheshin ne një frymë të re. Aty ishin edhe profesorët që vazhdimisht ndihmonin zgjimin e vetëdijes kombëtare.
Një rol të rëndesishëm në këtë plan, luajtën edhe profesorët nga shteti amë në krye me të urtin Rexhep Mejdanin. Ky intelektual gëzonte shumë respekt nga
studentët dhe kolegët e tij, kështu që sugjerimet e tija pranoheshin pa hezitim. Në atë kohë emri i tij përmendej me respekt të veçantë.
Falë këtyre rrethanave, vitet e 80-ta ilegalja shqiptare tashmë ishte e formësuar dhe e fuqishme si asnjëherë më pare: ata ishin zëri i kushtrimit dhe shembull që do ta ndiqnin këtu e tutje shumica shqiptare, e sidomos djalëria shqiptare.
Këto organizime, këto sakrifica, këto rreziqe nga aktivitetet ilegale politike janë pasojë e humbjes së vazhdueshme të oportuniteve që paraqiten në periudhat që cilësohen si kthesa historike.
Mos shfrytëzimi i këtyre gjasave ndikoi pastaj që të shumëfishohen aktivitetet, të rrezikohen idetë, njerëzit dhe të stërzgjaten afatet për korrigjim përfundimtar të shkarjeve nga tendenca kryesore historike.
Marr nga libri: “Në Evropë apo në Europë”.
Nga:Rrustem Mustafa.