Prokurorisë i aprovohet pjesërisht ankesa, Thaçit i shtohet përgjegjësia për “nxitje” në aktakuzën e re

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për aprovimin e pjesshëm të ankesës së Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit kundër administrimit të drejtësisë, transmeton Gazeta Papirus.

Me një vendim të 14 prillit 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konfirmimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që bie në bazë të nenit 32 (3) të KPRK-së që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në bazë të nenit 401 (3) dhe (5) të KPK-së.

Sipas vendimit, Masselot ka urdhëruar që Prokuroria të dorëzojë versionin e ri të aktakuzës deri më 16 prill 2025,

Ndërsa më pas, administratorja ta dorëzojë atë te Thaçi dhe të tjerët në gjuhën shqipe, si dhe versionin e redaktuar ta dorëzojnë për publikun, ndërsa aktakuza duhet t’i dorëzohet në Kosovë edhe Hajredin Kuçi.

Ndër pikat e fundit të këtij vendimi, thuhet se Hashim Thaçi është i informuar për të gjitha akuzat dhe tashmë është deklaruar lidhur me ato, ndërsa zhvillimi i fundit me vendimin aktual nuk shton ndonjë pikë të re të aktakuzës.

Si rrjedhojë, gjyqtarja ka konstatuar se nuk është e nevojshme ndonjë paraqitje fillestare në seancë, por, qëndrimi i Thaçit lidhur me ketë formë të re të përgjegjësisë duhet të evidentohet dhe se këtë Thaçi duhet të bëjë me shkrim deri më 24 prill 2025.

“URDHËRON që Z. Thaçi, nëse dëshiron të informohet në seancë të hapur gjyqësore lidhur me formën shtesë të nxitjes në akuzën ekzistuese, të paraqesë një kërkesë në këtë drejtim jo më vonë se të enjten, më 24 prill 2025, në orën 16:00.”

 

Next Post