Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka bërë të ditur se nga hetimet që i kanë bërë në lidhje me masakrën që ka ndodhur në Burgun e Dubravës para 23-vjetëve, deri tani i kanë intervistuar 60 persona që ishin aty.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në mesin e të intervistuarve është edhe deputeti i tanishëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili sot përmes një konference për media ka kërkuar që prokuroria të nisë hetimet për t’i dëgjuar dëshmitë e atyre që i mbijetuan kësaj masakre.
” Prokuroria Speciale njofton opinion publik se hetimet në lidhje me rastin e Dubravës janë duke vazhduar. Për hir të korrektësisë, ju njoftojmë se fillimisht, ky rast ka qenë i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve dhe ruajtjes së afatit ligjor prej 2 vitesh të hetimeve. Mirëpo, me miratimin e plotësim-ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, në qershor të vitit 2021, me ç‘rast është hequr afati i hetimeve dhe është lejuar gjykimi në mungesë, dosja penale është riaktivizuar për procedurë hetimore”.
“Në këtë fazë të procedurës, hetimet kanë arritur të identifikojnë rreth gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar të rastit të Dubravës, të cilët janë intervistuar, duke përfshirë edhe Enver Dugollin dhe Bedri Kukalaj. Sipas shkresave të lëndës, Enver Dugolli, u intervistua më datë 06.11.2013, kurse, Bedri Kukalaj, u intervistua më datë 04.08. 2011, nga Prokurori i EULEX-it në PSRK”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se deri tani në këtë rast janë identifikuar 44 persona si të dyshuar.
“Në lidhje me këtë rast janë identifikuar 60 të dëmtuar dhe 100 dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga organet e rendit. PSRK njofton se janë duke ndërmarr veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, nuk mund të ndaj më shumë informacione me publikun”,thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.