Prokuroria Speciale ka pranuar kallëzim penal për Dardan Veliajn, personin i cili sipas një raporti të Policisë, në vitin 2004 ishte ndaluar së bashku me Albin Kurtin. Velija i cili është Kryeshef Ekzekutiv në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), akuzohet për dy vepra penale; “keqpërdorim të pozitës” dhe “cenim i të drejtave në marrëdhëniet e punës”.
Sipas dokumentit të siguruar nga Periskopi, në kallëzim penal të Prokurorisë, thuhet ndër të tjera:
“I pandehuri Dardan Velija:
Më datë 11.06.2024, në zyrën qendrore të Ndërmarrjes Publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë” Sh.A. (“KMDK”), ne Fushë Kosovë, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si Kryeshef Ekzekutiv në KMDK, i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e veta zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi për vete apo personin tjeter, ose që personit tjetër t’i shkaktojë dëm apo t’ia shkelë të drejtat, në atë mënyrë që duke shmangur në terësi procedurat e prokurimit të cilat duhej të kryheshin nga Drejtoria e Prokurimit në KMDK, përmes platformës zyrtare elektronike “e-prokurimi” nxjerrë Vendimin nr. prot. 02-10/71, me të cilin ka lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit me Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë për ofrimin e shërbimeve të kontrollimeve sistematike të të punësuarve dhe lëshimit të certifikatave shëndetësore, nepërmjet procesit të negocimit pa publikim e njoftimit për kontratë, me arsyen se ky ishte institucioni i vetëm i licencuar per të ofruar shërbimet e tilla. edhe pse në fakt shërbimet e njëjta i ofronin edhe institucione tjera publike, duke i shkaktuar në këtë mënyrë dëm material buxhetit të KMDK-së, si dhe duke ua shkelur të drejtat operatorëve tjerë ekonomikë të cilëve iu është pamundësuar pjesëmarrja në këtë aktivitet të prokurimit.
-Me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga Neni 414 par.1 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (“KPRK”)”, thuhet ndër të tjera në kallëzim penal.
kallëzim penal ndaj Veliajt është pranuar edhe për veprën penale “cenim i të drejtave në marrëdhëniet e punës”.
Sipas këtij kallëzimi penal, të pandehurit Dardan Velija, Lule Pashku, Anjeza Alaj-Murati, Edmond Halimi, Abit Aliu, Rexhep Berisha, Uliks Spaq dhe Abdurrahman Ramadani – ia kanë mohuar e kufizuar të drejtat që i takojnë një punëtori në këtë kompani.
Shih dokumentin:
Nga historia e errët nën çebe me Kurtin, tek pozita e shpërblimet qindra-mijëra euroshe
Dardan Velija, i emëruar në vitin 2023 si Kryeshef i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, mbart një histori të përfolur që daton nga viti 2004, kur një raport policor i përfshiu atë, Albin Kurtin dhe Jelena Bjelicen në një ndalim “nën çebe” në fshatin Binqe, të banuar me serbë. Pretendimet sugjerojnë një takim të fshehtë me figura të lidhura me strukturat serbe, duke përfshirë vëllezërit Donçiq. Së fundmi, Velija dhe bashkëpronari i tij në “Iron Consulting” përfituan një grant prej 100 mijë eurosh nga Ministria e Bujqësisë.
Dardan Velija, një nga emrat më të përfolur së fundmi për lidhjet e tij të ndërlidhura me qeverinë dhe historitë e mëparshme të dyshimta, është bërë përsëri qendra e vëmendjes pas fitimit të një granti të madh.
Kompania ku Velija është bashkëpronar së bashku me Naim Huruglicën, këshilltarin e jashtëm të Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, ka fituar një grant prej 100 mijë eurosh nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Kjo ka ngjallur reagime të forta, duke sugjeruar një lidhje të qartë ndërmjet interesave të ngushta personale dhe favoreve të mundshme politike.
“Iron Consulting” është e njohur edhe për përfitime të tjera financiare. Në vitin e kaluar, kompania përfitoi 10 mijë euro për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
Ky zhvillim ngre dyshime se si Velija dhe bashkëpunëtori i tij, Huruglica, kanë arritur të përfitojnë këto grante dhe si përfshirja e tyre në pozicione kyçe i ka ndihmuar në këtë proces.
Përtej përfitimeve financiare, Velija ka një të kaluar që është komentuar shumë dhe mbart një hije dyshimi. Ai është i njohur për një episod të vitit 2004, i cili ka qenë temë e diskutimeve të gjera dhe akuzave politike.
Dokumentet e zbuluara nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, hedhin dritë mbi një ndalim të bujshëm që ndodhi atë vit.
Sipas Haxhiut, Dardan Velija, së bashku me Albin Kurtin dhe Vlora Bajqinovcin, u ndaluan nga Policia e Kosovës në fshatin Binqe, të banuar kryesisht nga serbë.
Siç thoshte Haxhiu, të njëjtit, bashkë me Jelena Bjelica, kishin vizituar fshatin Binqe, ku në takim ishin edhe vëllezërit Donçiq themelues të organizatës “Bozhur”.
Golub Donçiq ishte inspektor i BIA-s (UDB), ndërsa Boban Donçiq ishte Kapiten i Armatës Jugosllave.
Në letrën e Haxhiut më më 08.02.2012 drejtuar letër Florin Krasniqit, ish-kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, ai e akuzon liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për të cilin ai pretendon se e shpërfaqin bashkëpunimin e Kurtit me qarqe të dyshimta serbe.
“Albin Kurti në muajin janar të 2004-s ka mbajtur takim me strukturat kriminale të Serbisë. Takimi është mbajtur në fshatin Binxhë, Komuna e Klinës, në shtëpinë e familjes Donçiq (Boban e Golub Donçiq), që të dy pjesëtarë të strukturave kriminale të Serbisë – Boban Donçiq, kapiten i ushtrisë së Serbisë, ndërsa Golub Donçiq, pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (BIA)”, thuhet ndër tjera në dokument.
Në vazhdim të ngjarjes theksohet se, Policia e Kosovës i kishte ndaluar ata në makinën Golf, në të cilën ndodheshin Dardan Velija, Golub Donçiq, ulur përpara, ndërsa Jelena Bjelica, Vlora Bajçinovci dhe Albin Kurti, ulur prapa.
Këto pohime të Bekim Haxhiut, pjesërisht mbështetën edhe me këtë letër dëshmie të datës 17 janar të vitit 2004.
“Boban Donqiq, Golub Donqiq. Vetura Golf ngjyrë e bardhë GTD, pronar Agron Hamza. 1. Albin Kurti, 2. Vlora Bajqinovci, 3. Dardan Velija”, thuhet në këtë raport të hartuar nga Geg Prenaj dhe Fadil Ahmetgjekaj.
“Albin Kurti ishte i mbuluar me batanije. Takimi është mbajtur në shtëpinë e vallezërve Donçiq, ku ishte i pranishëm edhe Misha Villotiq, person në hierarki të lartë në sigurimin shtetëror serb BIA. Në takim ishte edhe Boban Donçiq, kapiten i Ushtrisë Serbe. Albin Kurti ta sqarojë qëllimin e këtij takimi”, theksonte letra e Bekim Haxhiut.
Edhe pse raporti nuk përmend Jelena Bjelicën në mënyrë specifike, përfshirja e saj në këto rrëfime ka shtuar edhe më shumë mister dhe dyshim mbi këtë rast.
Akuza se Velija dhe Kurti ishin “nën çebe” me Bjelicën në këtë kontekst është përdorur për të ngritur dyshime për ndonjë bashkëpunim të mundshëm të fshehtë. Ndërsa disa detaje mbeten të paqarta, një gjë është e sigurt: ky episod vazhdon të jetë një njollë e fortë në biografinë e Dardan Velijës dhe Albin Kurtit.
Sot, Velija mban një rol të rëndësishëm si Kryeshef i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, një emërim që u bë nga Albin Kurti në vitin 2023.
Ky fakt është cituar shpesh si dëshmi e afërsisë së Velijës me pushtetin aktual dhe përforcon spekulimet për lidhjet e tij me qarqet politike, të cilat duket se i kanë hapur rrugën përfitimeve të shumta ekonomike.