Dy serbë të arrestuar të dielën në Prizren e që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë, tani janë të lirë.
Sveçla pati shkruar në Facebook se ata synonin të shkaktonin “tensione ndëretnike/fetare në Kosovë”, derisa Prokuroria tha se nuk ekziston dyshimi i bazuar.
Njoftimin e Prokurorisë po e vendos në dyshime edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo lirimin e tyre po e konsideron të paaarsyeshme dhe shqetësuese.
“Në Prizren 10 prej 12 u liruan që atë ditë sepse nuk kishte kërkesë për paraburgim, ndërkohë sot qenkan liruar edhe dy. Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm”, tha Haxhiu.
Ministrja theksoi shqetësimin e saj për lehtësinë e lirimit të këtyre personave dhe për nënvlerësimin e aksioneve të institucioneve të sigurisë, që kishin siguruar fakte dhe dëshmi të mjaftueshme për arrestimin e tyre.
Ajo vuri në dukje gjithashtu shpenzimin e resurseve dhe kohës nga institucionet e sigurisë dhe rrezikun për punonjësit e këtyre institucioneve, pa pasur rezultate.
“Po harxhojnë aq shumë resurse e kohë institucionet e sigurisë si dhe po rrezikohen punonjësit e këtyre, e në fund të arrestuarit lirohen?!”, shtoi Haxhiu, duke ngritur pyetje në lidhje me forcën e ligjit dhe drejtësisë në këtë rast.