Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin H. S. për veprën penale të spiunazhit.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisës Speciale, Liridona Kozmaqi.
Sipas Njoftimit të Prokurorisë, arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur pas zhvillimit të hetimeve disamujore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore.
Aksioni dhe arrestimi është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Po ashtu, në bazë të Urdhëresës së Gjykatës kompetente është kryer edhe bastisje në dy lokacione në Kosovë, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë edhe disa telefona, që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale” – thuhet në Njoftimin e Prokurorisë Speciale, më 06.05.2025.
Prokuroria Speciale shton se ndaj të dyshuarit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale./GAZETA PAPIRUS/