Prokuroria Themelore në Prishtinë ka demantuar informacionin se GPS i gjetur në veturën e gazetarit, Vehbi Kajtazi është i AKI-së.
Reagimi i Prokurorisë erdhi pas një postimi nga gazetari Lirim Mehmetaj, i cili tha se Prokuroria e kishte konfirmuar këtë informacion.
Në një komunikatë për media, Prokuroria thekson se deklarimet e tilla nuk janë në interes të askujt dhe “aq më pak të drejtësisë”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të sqarimit të opinionit publik, njofton se i demanton deklarimet e gazetarit Lirim Mehmetaj se prokuroria ka konfirmuar ndonjë lajm sa i përket vendosjes së pajisjeve të GPS në veturën e gazetarit V.K. Deklarimet e tilla nuk janë në interes të askujt, e aq më pak të drejtësisë. Për çdo komunikim dhe lajm nga prokuroria do të njoftohet publiku, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën, pra përmes kanaleve zyrtare”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokuroria shtoi se Prokurori i Shtetit do të vazhdojë “në luftimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre dhe për këtë opinioni publik do të mbahet i informuar. Deklarimet e tilla mund të dëmtojnë integritetin e hetimeve dhe nuk i shërbejnë zbardhjes dhe hetimit të veprave penale”.