Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme ka realizuar një sërë aktivitetesh në disa lokacione, ku janë evidentuar se në disa vendpunime në Komunën e Fushë-Kosovës, po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Me këtë rast janë ndaluar punimet në këto lokacione si dhe është inspektuar një aksident në vendin e punës në Mazgit, Komuna e Obiliqit, njofton Prokuroria.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Koordinatori për rastet e veprave penale qe ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës, njëherit prokuror, së bashku me inspektorët e ndërtimit, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe rritjes së nivelit të sigurisë në vendin e punës.
Për shkak të mos ndërmarrjes së masave të përgjithshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, mungesës së skelave, mos mbylljes së ashensorëve dhe mos mbylljes së shkallëve, janë ndaluar punimet në disa vendpunime.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Inspektorët përkatës, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencave ligjore, me qëllim të preventivës së veprave penale të kësaj natyre dhe zvogëlimit të rasteve me pasojë vdekje në vendin e punës”, thuhet në njoftim.