Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot. Një prej pikave që është në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Sipas propozimit të Qeverisë, paga minale do të jetë 264 euro bruto, e 250 neto. E nga Lëvizja Vetëvendosje presin që ky propozim të kundërshtohet nga opozita.
Ka qenë deputeti Armend Muja, ai që ka shkruar për këtë punë. Sipas tij, PDK’ja do të kundërshtojë rritjen e pagës minmale me arsyetimin se s’është e lidhurme beneficionet e veteranëve.
E AAK’ja thotë se do ta kundërshtojë me arsyetimin që paga minale s’është 400 euro.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar më 13 prill projektligjin e propozuar nga ministria e Financave që ka të bëjë me plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro neto apo 264 euro bruto.
Ministri Hekuran Murati kishte thënë në mbledhjen e qeverisë se miratmi i projektligjit në qeveri dhe më pastaj në Kuvend do t’i hapë rrugë sjelljes përsëri në qeveri të vendimit për rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto.
“Miratimi i këtij projektligji në qeveri e Kuvend i hap rrugë sjelljes në qeveri të vendimit për rritjen e pagës minimale në vlerë prej 264 euro bruto apo 1.5 euro për orë. Ju ftoj që ta mbështesni këtë vendim dhe t’i hapet rrugë miratimit të pagës minimale”, kishte thënë ai.
Projektligji u miratua me shumicë votash nga kabineti qeveritar.
Murati kishte shpjeguar rregullimet që synohen me anë të këtij projektligji që sipas tij ka për synim të eliminojë pasiguritë juridike rreth pagës minimale në nivel kombëtar.
“Projektligji në fjalë ka për qëllim të plotësojë dhe ndryshojë ligjet të cilat edhe ndërlidhin shumën e benificioneve apo kompenzimeve me pagën minimale si dhe të ndryshojë shkallët tatimore në të ardhurat personale dhe të ndryshojë procedurën pra të vendosjes së pagës minimale. Paga minimale është instrument i tregut të punës edhe duhet t’i shërbejë vetëm këtij funksioni. Me miratimin e këtij projektligji paga minimale do të shërbejë vetëm për rritjen e pagës së punëtorëve me pagë të ulët deri në një nivel adekuat si shumë minimale e shpërblimit që një punëdhënësi i kërkohet të paguajë një punëtor për orë pune. Prandaj përmes këtij ligji synohet që të eliminohen mëdyshjet apo pasiguritë juridike rreth pagës minimale në nivel kombëtar, specifikisht lidhshmërinë e pagës me nivelin e benificioneve sociale”, kishte thënë Murati.
Ai ishte shprehur se ky projektligj do të rregullojë edhe shkallën tatimore të pagës minimale për personat që marrin rreth 250 euro në muaj.