Profesori i njohur shqiptar në Zvicër, Dr. Taulant Muka, i cili është profesor i asociuar në epidemiologji dhe mjekësinë parandaluese në Bernë, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin thotë se ka këshilltarë jo mirë të informuar.
Duke marrë shkas nga përgjigjet e Kurtit drejtuar diasporës dhe arsyetimeve të tij për kufizimin e hyrjes në Kosovë, profesori Taulant Muka thekson se 10% e udhëtarëve rezultuan pozitivë jo sepse ka probleme me testet, por pasi jo të gjithë ishin testuar para nisjes.
“Kjo për shkak se të vaksinuarve nuk u kërkohej testimi para nisjes. Një e dhënë e fundit tregon se në një restorant në Norvegji, nga 120 qytetarë të vaksinuar me dy doza, mbi 60-80% kanë rezultuar të infektuar”, shkruan Muka.
“Studimi nga Afrika e Jugut që i referohet kryeministri për uljen e imunitetit natyral, është një studim me shumë probleme metodologjike. Edhe nëse rezultati i studimit do ishte korrekt, studimi tregon se mbrojtja nga imuniteti natyral ndaj riinfeksionit është në nivelin 75%; pra më shumë se një i vaksinuar 1 muaj pas vaksinimit”.
“Mungesa e kapaciteteve shkencore e renditi Kosovën në 5 vendet me vdekshmerine më të lartë në Europë/botë (rreth 74% rritje e vdekshmërisë totale), edhe pse ka popullatën më të re dhe më pak të rrezikuar nga Covid-19! Kur do mësojmë nga gabimet”, përfundon ai.
Ndryshe, Kryeministri Kurti u është përgjigjur sot mërgimtarëve rreth masave të miratuara së fundmi nga Qeveria e Kosovës, masa këto që afektojnë mërgimtarët të cilët vijnë në pushime në vendlindje./albinfo.ch