Profesori amerikan, Alon Ben Meir me anë të disa shkrimeve në rrjetin social Twitter ka treguar se çfarë duhet të veprohet që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpara në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.
Profesori amerikan ka theksuar fuqishëm se për aq kohë sa Kosova dhe Serbia qëndrojnë në pozicionet aktuale, atëherë sipas tij, nuk do të ketë asnjë marrëveshje.
Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës, për të cilat ka paraparë se duhet të bëhen lëshime nëse dëshirohen që të zgjidhen përfundimisht.
Ai nuk ka treguar se çfarë koncesione duhet bërë, por lëshimet sipas tij duhet të ndodhin.
“Të gjitha çështjet konfliktuale që lidhen me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme me kusht që të dyja palët, #Kosova dhe #Serbia, të bëjnë disa lëshime të nevojshme për të arritur një marrëveshje. Por për sa kohë që ata qëndrojnë në pozicionin e tyre aktual, sigurisht që nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje.”, ka shkruar ai në Twitter.
Ai ka folur edhe për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se njohja reciproke duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave.
“Negociatat mes #Kosovës dhe #Serbisë duhet të fillojnë me mirëkuptimin se në fund të procesit, ata bien dakord për një njohje reciproke. Ky kusht duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave. Përndryshe, për mendimin tim, do të jetë përsëri humbje kohe.”, ka shkruar ai.
Ai ka shpjeguar se çfarë lëvizje duhet të bëjnë SHBA-ja dhe BE-ja, e cila do të mund të ndihmonte në arritjen e një marrëveshje.
“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja janë të përgatitura të bëjnë presion nga njëra anë dhe të ofrojnë disa nxitje nga ana tjetër, veçanërisht në lidhje me perspektivën e anëtarësimit eventual të Kosovës dhe Serbisë në BE, mund të arrihet një marrëveshje.”, ka shkruar ai ndër të tjera.