Profesori amerikan, Alon Ben Meir Tani ka thënë se është koha për krijimin e Asociacionit, për të cilin është dakorduar nga Kosova vite më parë, në mënyrë që krijohet një epokë e re në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ben – Meir gjithashtu ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për sjelljen ndaj ShBA-së.
Ai ka bërë me dije se kryeministri kosovar duhet t`i dëgjoj këshillat e amerikanëve dhe evropianëve.
“Nëse Kurti do të ndiqte kërkesat e parashtruara nga BE-ja dhe SHBA-ja, ata do të qetësonin atmosferën dhe do të qetësonin grindjet në veri të vendit pas përplasjeve më të këqija në më shumë se një dekadë. Ai gjithashtu do të krijonte një mjedis të favorshëm për bashkëpunim dhe do t’i jepte fund konfliktit dhe do të hiqte sanksionet”, ka thënë ai.
Në përgjigjen e tij për Dukagjinin, Ben Meir e citon “Aleancën Kosovare të Biznesit” e cila kishte thënë se “Qeveria duhet të vijë në vete kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në”.
Çmimin e sanksioneve sipas Ben Meir po e paguajnë qytetarët e Kosovës, derisa thekson se ato më shumë janë vendosur për “ta zgjuar Kurtin ndaj realitetit të hidhur” i cili sipas tij “ka zgjedhur ta injorojë”.
“Në të vërtetë, në realitet Kurti ka dy aleatët e vetëm që kujdesen për të ardhmen dhe prosperitetin e Kosovës, dhe sanksionet që ata kanë vendosur nuk janë aq sa për të ndëshkuar Kosovën si vend, por për të zgjuar Kurtin ndaj realitetit të hidhur që ai zgjedh të injorojë ndërsa Shqiptarët e Kosovës po e paguajnë çmimin”, ka thënë ai.
I pyetur se a mendon se ShBA-ja dhe BE-ja po luajnë rol neutral, duke e ndëshkuar vetëm Kosovën për situatën e tensionuar në veri, Ben Meir thotë se ato “nuk e nuk e përjashtojnë presidentin e Serbisë Vuçiq nga asnjë përgjegjësi”, por, sipas tij, presidenti i Serbisë “, së paku, filloi të përmbushë kërkesat e Brukselit dhe të Uashingtonit për tërheqjen e forcave të tij nga kufiri me Kosovën”.
Si përfundim, Ben Meir është i mendimit se sikur të formohej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk do të kishte dhunë e tensione në veri të Kosovës.
“Përfundimisht, është me rëndësi të madhe të theksohet se sikur të ishte krijuar Asociacioni i Komunave siç ishte rënë dakord nga Kosova shumë vite më parë, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur. Tani është koha për të zbatuar atë që është rënë dakord dhe shpresojmë të fillojmë një epokë të re dhe të rivendosim plotësisht normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e SHBA-së dhe BE-së në çdo fushë dhe veçanërisht mbështetjen e tyre financiare, pa të cilën Kosova do të vuajë shumë. Ndikimi i sanksioneve në biznes, arsim dhe infrastrukturë është i dukshëm për të gjithë”, ka thënë profesori Ben Meir